Sa vlen jeta juaj? Kjo varet nga pasaporta që keni

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Dhjetor, 2023 19:48

Sa vlen jeta juaj? Kjo varet nga pasaporta që keni

Kryeministri Benjamin Netanyahu është përgjegjës për mbështetjen që i ka dhënë në mënyrë indirekte Hamasit në mënyrë që të zhvlerësojë rolin e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor. Në përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet, ai futi në kaos ushtrinë izraelite dhe e dobësoi mbrojtjen e vendit. Edhe pse Hamasi mban përgjegjësinë morale për aktet e tij çnjerëzore, duhet të ketë llogaridhënie edhe për arrogancën e Netanyahut

Nga Mahyar AMOUZEGAR

Si një amerikan i lindur në Iran, jeta ime vlen sot shumë më tepër se ajo e mikut tim të fëmijërisë Majid, familja e të cilit vendosi të qëndronte – ose nuk kishte mjetet për t’u larguar – përpara se Revolucioni Islamik të merrte kontrollin e vendit tonë. Vendimi i prindërve të mi më shumë se 45 vjet më parë, e rriti me sa duket vlerën e jetës sime. Nëse më vendosni mua dhe mikun tim pranë njëri-tjetrit, nuk mund të bëni dot ndonjë dallim të madh, përveçse që unë jam pak më i gjatë, ndërsa ai ka lëkurë më të çelët. Megjithatë, në rastin e përfshirjes në një ngjarje fatkeqe të marrjes dhe mbajtjes peng nga ndonjë grup militant, do të kishte klithma më të forta për lirimin tim dhe padyshim që unë do të isha i pari që do të shpëtohesha.  Nëse qëllon që të vritem nga ndonjë raketë e lëshuar gabimisht diku, fotoja dhe emri im do të jenë në të gjitha gazetat amerikane. Ndërkohë miku im i fëmijërisë Majid nuk do të kishte ndonjë vëmendje specifike. Sigurisht do të cilësohej një humbje tragjike por gjithsesi një “dëm anësor”.

A jam unë një njeri më i mirë, më i dhembshur dhe më human se Majid? A kam kontribuar më shumë se ai në përmirësimin e njerëzimit? Është një realitet tejet dëshpërues që në epokën e terrorizmit dhe luftës moderne, vlera jonë matet shpesh sipas shtetësisë që kemi.

Memoriali kushtuar sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 mban emrat e 2.982 personave që vdiqën në sulmin e tmerrshëm të organizuar nga një njeri i pamëshirshëm, Osama bin Laden, dhe organizata e tij terroriste, Al Kaeda. Bin Laden u mbrojt nga talebanët dhe në një kundërpërgjigje shumë të justifikuar, Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin. Në atë kohë, isha me detyrën e analistit në Ministrinë Britanike të Mbrojtjes, dhe isha i bindur se do të ishte një luftë e shpejtë, kirurgjikale, dhe që do t’i shkatërronte terroristët, me humbjen e shumë pak jetëve të civilëve. Gabova. Lufta zgjati 20 vjet, dhe në 2 dekada, u vranë më shumë se 46.000 civilë (së bashku me 100.000 luftëtarë afganë dhe më shumë se 2.400 ushtarakë amerikanë). 50 civilë afganë, të cilët nuk kishin asnjë rol në sulmet e 11 shtatorit, vdiqën për të paguar çmimin e çdo viktime në atë sulm. Një kosto e drejtë, do të argumentonin disa, dhe ne të gjithë kemi logjikën tonë në këtë matematikë. Por për fat të keq, ndëshkimi ynë ndaj tyre nuk mbaroi me kaq.

Pasi ne sulmuam edhe Irakun (edhe pse jo Arabinë Saudite, e cila ishte të paktën pjesërisht përgjegjëse) dhe rrëzuam udhëheqësin e tij të pamëshirshëm, Sadam Huseinin. Shumica e njerëzve, sidomos ata që ishin të prekur nga operacionet kriminale të Sadamit dhe ata që kishin humbur të dashurit e tyre gjatë luftës së përgjakshme Iran-Irak (ku përfshihet edhe familja ime), u gëzuan për vdekjen e tij.

Por përpjekja jonë për ta pushtuar dhe reformuar atë vend, solli vdekjen e rreth 8.000 amerikanëve dhe u mori jetën 200.000 civilëve irakianë. Tani raporti është rreth 82 civilë për çdo amerikan që u vra në 11 shtator. Cili duhet të jetë pragu për këtë raport? Ky nuk ka qenë asnjëherë një argument diskutimi. Sot një demokraci tjetër është përfshirë në një konflikt të nxitur nga zemërimi dhe hakmarrja. Më 7 tetor, Hamasi orkestroi një sulm të tmerrshëm e çnjerëzor që vrau më shumë se 1200 izraelitë. Pati një dënim të qartë dhe të duhur ndërkombëtar ndaj atij akti brutal. Nuk ka dyshim, se pavarësisht nga ankesat e palestinezëve kundër Izraelit (dhe ka shumë të tilla), nuk ka asnjë justifikim për vrasjen e civilëve. Apo jo? Mjerisht, jo të gjithë janë dakord. Gati 2 muaj që nga ai sulm, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 14.000 palestinezë (pothuajse gjysmën e tyre fëmijë), dhe sulmi tokësor është ende në fazat e hershme.

Pra në një raport 12 me 1. Dhe disa mendojnë se mund të jetë një raport i justifikuar, madje edhe i drejtë. Kolumnisti i Neë York Times, Bret Stephens shkroi së fundmi “Hamasi është fajtori për çdo vdekje që po ndodh në këtë luftë”. Është e vërtete, ky grup ka fajin kryesorë sepse nëse do të kishin vazhduar të qëndronin në anën e tyre të kufirit dhe nuk do të kishin vrarë 1200 izraelitë, Izraeli nuk do të kishte vrarë 14.000 (dhe numri vazhdon të rritet) palestinezë, ose rreth 1 në 200 banorë të Gazës.

Por ç’mund të themi për rolin e qeverisë izraelite? Kryeministri Benjamin Netanyahu është përgjegjës për mbështetjen që i ka dhënë në mënyrë indirekte Hamasit në mënyrë që të zhvlerësojë rolin e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor. Në përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet, ai futi në kaos ushtrinë izraelite dhe e dobësoi mbrojtjen e vendit. Edhe pse Hamasi mban përgjegjësinë morale për aktet e tij çnjerëzore, duhet të ketë llogaridhënie edhe për arrogancën e Netanyahut. Megjithatë, pasaporta e tij izraelite është në çdo kohë shumë më e fuqishme sesa pseudo-pasaporta palestineze. Padrejtësitë e botës përjetësohen jo vetëm nga trashëgimitë koloniale, por për fat të keq, në jo pak raste, edhe nga vetë disa prej viktimave. Pra në propagandimin e pavlefshmërisë së jetës së qytetarëve palestinezë, ndihmon edhe vetë Hamasi. Sepse ky i fundit e dinte me siguri se vrasja e civilëve izraelitë do të shkaktonte një kundërpërgjigje të fortë të Izraelit, i cili edhe në rrethanat më të mira dhe nëse qeveria e Bibit do të ishte më dashamirëse, do të sillte vrasjen e shumë palestinezëve.

Por në llogaritë e Hamasit, një jetë palestineze nuk është e barabartë me një jetë izraelite. Në vitin 2011, Hamasi liroi një të burgosur të vetëm, ushtarin izraelit Gilad Shalit, në këmbim të 1027 të burgosurve palestinezë, midis tyre edhe Yahya Sinëar, arkitektin e sulmit të 7 tetorit. Palestinezët mund ta shohin këtë shkëmbim si një shenjë të fuqisë së Hamasit, kjo pasi udhëheqësit aktualë politikë të Hamasit e vlerësojnë si një sukses sulmin e tyre të fundit ndaj Izraelit, pavarësisht nga numri i lartë i viktimave në Gaza. Pra, duke përdorur aritmetikën e tyre, një izraelit vlen më shumë se 1000 palestinezë?

Unë nuk jam aq naiv sa të besoj se është e mundshme arritja e barazisë së plotë në vlerësimin e jetëve njerëzore. Kontrasti i thellë midis vlerës së vendosur për disa jetë njerëzore dhe pavlefshmërisë së perceptuar të disa të tjerëve, duket pothuajse i rrënjosur, duke pasur parasysh ekzistencën e dëmit anësor, të qëllimshëm ose jo.

Megjithatë, në një botë që përpiqet të garantojë drejtësi, nuk mund të ketë një ekuacion ku jeta e mikut tim Majid të konsiderohet më pak e vlefshme se e imja. Njohja e këtij realiteti, ku disa jetë janë të nënvlerësuara, ngre pyetje edhe më të mëdha: Si ndërtuam një sistem ku ekzistojnë pabarazi të tilla, dhe si mund të arrijmë t’i ngushtojmë ato? Në vazhdën e konflikteve shekullore dhe humbjes tragjike të jetëve të pafajshme, detyra e panegociueshme duhet të jetë njohja e shenjtërisë së çdo jete të civilëve, pavarësisht nga shtetësia që kanë. Vëmendja jonë duhet të zhvendoset drejt të kuptuarit se si i kemi përjetësuar këto pabarazi, dhe më e rëndësishmja, se si mund të ri-kalibrojmë vlerat tona kolektive për të nderuar vlerën e qenësishme të jetës së çdo individi në këtë botë.

(Mahyar Amouzegar, zv/drejtor i çështjeve akademike në Universitetin e New Orleans, SHBA)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Dhjetor, 2023 19:48

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare