“SAZDOVSKI”: Gjykata Penale kundër avokatëve, e mbron Aleksovskën

Redaksia
By Redaksia 12 Prill, 2019 19:51

“SAZDOVSKI”: Gjykata Penale kundër avokatëve, e mbron Aleksovskën

Lënda gjyqësor për rastin “Sazdovski” zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe pa anime. Kështu vlerësojnë nga Gjykata Penale e Shkupit, pas akuzave që pala mbrojtëse e të akuzuarve Besir Bela dhe Skender Demiri, se Trupit gjykues është i ndikuar nga jashtë. Madje, avokatët dy herë kërkuan përjashtimin e gjykatëses Daniella Aleksovska – Stojanovska. Duke i komentuar qëndrimet e avokatit Naser Raufi, se gjykatësja Aleksovska është e njëanshme dhe e padrejtë, nga GJPSH shprehen se gjykatësja vepron në bazë të Ligjit.

“Përpos vërejtjeve të palës mbrojtëse, gjatë miratimit të vendimit për përjashtimin ose jo të një gjykatësi, ne kërkojmë edhe arsyetim nga vetë gjykatësi për të cilën kërkohet shkarkimi. Në këtë rast, gjykatësja Daniella Aleksovska-Stojanovska, me shkrim i ka demantuar qëndrimet e avokatëve në rastin ‘Sazdovski’. Dhe, ne besojmë se ajo nuk ka bërë asnjë shkelje gjatë rrjedhës së deritanishme të procesit gjyqësor”, thonë nga GJPSH.

Përpos avokatëve mbrojtës, brenda periudhës së kaluar vërejtjet e tyre për mënyrën se si gjykatësja Daniella Aleksovska-Stojanovska e zhvillon këtë proces gjyqësor ka pasur edhe Komiteti i Helsinkit. Por, të njëjtat nuk kanë mjaftuar që gjykatësja, e cila nga avokatët mbrojtës llogaritet si e njëanshme, të përjashtohet. Gjykimi i radhës për “Sazdovskin”, është caktuar të mbahet të premten me 12 prill.

Ndryshe, avokatët e Belës dhe Demirit, në seancën e fundit kërkuan shkarkimin edhe të prokurorit të lëndës, Anel Fidovski. Kjo kërkesë e tyre, siç e arsyetuan avokatët, vjen si rezultat i deklaratës së deputetit të koalicionit të LSDM-së, Pavle Bogoevski, i cili në një debat televiziv, publikisht pranoi se ka reaguar dhe udhëzuar se si duhet trajtuar rasti. Ata vlerësojnë se kjo deklartatë vërteton ndikimin nga jashtë në punët e Prokurorisë së Shkupit dhe për këtë arsye, kërkuan largimin e prokurorit Fidovski nga shqyrtimi i mëtutjeshëm i lëndës.

Të premten pritet të kuptohet nëse prokurori Fidovski edhe më tutje do ta përfaqësoj Prokurorinë e Shkupit në rastin “Sazdovski”, apo i njëjti do të zëvendësohet. (koha.mk)

Redaksia
By Redaksia 12 Prill, 2019 19:51