Seanca konstituive më 4 gusht, me protokoll të veçantë dhe kufizime

Seanca konstituive më 4 gusht, me protokoll të veçantë dhe kufizime

Kryetari i deritanishëm i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi e nënshkroi Aktvendimin për caktimin e Seancës së parë Konstitutive të Kuvendit e cila do të mbahet të martën më 4 gusht duke filluar në ora 12. Kjo seancë do të mbahet në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, sipas të cilave, deputetëve, mysafirëve dhe përfaqësuesve të mediumeve gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit do u matet temperatura e trupit, ndërsa në të gjitha hyrjet do të sigurohen mjete për dezinfektim. Për shkak të situatës me pandeminë dhe me qëllim ruajtjen e distancës fizike, për këtë seancë është ndryshuar edhe salla dhe procedura.

Kuvendi

“Pasi bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme dhe mbajtja e distancës së detyrueshme fizike është e domosdoshme ndërmjet deputetëve, Seanca Konstitutive do të mbahet në Sallën e Madhe të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, respektivisht në sallën e njohur në opinion si Kupola e madhe. Deputetët do të jenë në distancë përkatëse dhe do u sigurohet pajisje mbrojtëse.  Votimi gjatë seancës do të realizohet në mënyrë manuale (me kartonë), ndërsa transmetim të drejtpërdrejtë prej seancës do të ketë në Kanalin e Kuvendit të Servisit Nacional të Radiodifuzionit. Transmetimin e seancës konstitutive mysafirët do e përcjellin nga Salla plenare “Maqedonia”, ku do të sigurohet distanca e domosdoshme fizike”

Në njoftimin e lëshuar nga kabineti i Xhaferit, thuhet se gjatë ditës, në të gjitha hapësirat ku ka aktivitete, pas përfundimit të tyre, do të bëhet dezinfektimi, ndërsa në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, edhe për përfaqësuesit e mediumeve do të vlejnë protokolle të caktuara për përcjelljen e seancës konstitutive, me qëllim që të zvogëlohet rreziku nga përhapja e koronavirusit. Për të evituar grupim më të madh, seancën konstitutive do të mund të ndjekin më së shumti nga dy përfaqësues nga çdo medium, të cilët do të duhet të paraqiten paraprakisht në formë elektronike. Për shkak të numrit të kufizuar të ekipeve mediatike që do të mund të jenë prezente fizikisht në sallën e madhe, shërbimet e Kuvendit kanë siguruar edhe ndjekje të seancës nga sallat ndihmëse, si dhe transmetim online. Gjatë dhe pas seancës të gjitha materialet dhe fotografitë do tu shpërndahen mediave në formë elektronike. Me qëllim të sigurimit të mbrojtjes më të madhe shëndetësore, në njoftimin e Kuvendit për të pranishmit në hapësirat e Kuvendit rekomandohet kufizimi i lëvizjes nëpër ndërtesë dhe mbajtja e përhershme e maskës mbrojtëse.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 29 Korrik, 2020 16:17

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.