Selia e PD-së skenë krimi! Ja kronologjia e ngjarjeve sot | FOTO – VIDEO

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Janar, 2022 16:15

Selia e PD-së skenë krimi! Ja kronologjia e ngjarjeve sot | FOTO – VIDEO

Selia e Partisë Demokratike është rrethuar me shiritin e verdhë të policisë, pasi zona tashmë konsiderohet skenë krimi.

Në ambientet e PD-së, protestuesit demokratë përdorën dhunë, duke thyer dyert dhe dritaret e godinës.

Dëmet materiale janë të shumta, ndërsa disa nga protestuesit mbetën të lënduar.

Deri më tani, disa shtetas janë shoqëruar në polici, ndërsa kryeprokurorja Elizabeta Imeraj u shpreh se do të ndiqet çdo situatë dhe se përgjegjësit do të përgjigjen para ligjit.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës, njofton policia, nw deklaratwn pwr mediet.

Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.

Grida Duma del live nga selia dhe në lot: Moment i rëndë! Distancohem nga dhuna e Sali Berishës, jemi të traumatizuar

Nënkryetarja e PD Grida Duma ka dalë live në facebook, nga selia e PD dhe ka dënuar dhunën e përdorur sot sipas saj nga Sali Berisha në selinë e PD.

E prekur nga situata, ajo tha se janë të traumatizuar nga dhuna e Sali Berishës.

“Kjo është PD sot, moment i rëndë, jo vetëm për gazin dhunën, zonjat që ishin brenda. Unë nuk besoj te dhuna, te saldimi i portave, heqja e vidave, por besoj se duhet të ketë një ndërgjegje të madhe me këtë lidership i cili i vjetër, shumë i vjetër. U thoja hajdeni futuni normal. Ata që janë zgjedhur nga populli duhet të gjenin mënyrën të diskutonin qetësisht.

Nuk besohej që dhuna, sharjet, fyerjet të ndodhnin mes demokratëve. Që mund të ndodhte e imagjinoja, por nuk mund të imagjinohet më që Shqipëria të kthehet në këtë situatë. Është fatkeqësi për ne që kemi bërë protesta kundër Edi Ramës sot të bëjmë protesta me gaz lotsjellës kundër njëri-tjetrit. Distancohem nga dhuna është pak të thuash, duhet të dënohet dhuna. Distancohem nga dhuna e Sali Berishës, është e rëndë ta shohësh në shkallët e PD-së të thotë që nuk ka dhunë kur janë të gjithë të traumatizuar”, tha Duma.

3 orë ‘luftë’ për të marrë PD-në! Berisha mbyll protestën e dhunshme: Do rikthehemi me forma të fuqishme!

Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Dy orë para se protesta të fillonte zyrtarisht, godina e selisë së Partisë Demokratike, u sulmua me forcë gjatë ditës së sotme nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Që në krye të herës dera kryesore e selisë u hap me forcë, përpara orës 12:00, e cila përkon me orën kur ishte thirrur protesta. Xhamat e saj janë thyer por protestuesit u ndalën në pjesën e hollit, ku me sa duket janë gjendur përpara dyerve të tjera të përforcuara me veshje hekuri.

Protesta e dhunshme e Berishës/ Rama: Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë atë edhe më shumë

Pasi ka përfunduar, pas tre orësh protesta e dhunshme e thirrur nga Sali Berisha, kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim të shkurtër në Instagram me një shprehje të
John Wayne.

“Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë atë edhe më shumë”, është shprehja që ka zgjedhur kryeministri për të komentuar situatën e sotme.

Dita e sotme ishte një ditët më të zeza për PD, pasi mbështetësit e Berishës thyen xhama dhe dritare për të marrë selinë.

Protesta  u shoqërua me tensione të forta, deri me përdorimin e gazit lotsjellës. Duke parë përshkallëzimin e dhunës, PD kërkoi ndërhyrjen e policisë e cila sprasi menjëherë protestuesit.

Pas kësaj protestuesit, iu drejtuan kryeministrisë, për tu rikthyer sërish në seli, ku policia iu ndërpreu sërish rrugën dhe pas disa minutash Berisha njoftoi mbylljen e protestës por  theksoi një tjetër protestë do të njoftohet ditët në vijim.

Granata dore, tymuese, çekiçë e leva/ Çfarë përdorën protestuesit sot? 

Protesta e demokratëve u shndërrua në një tubim të dhunshëm që në momentet e para që mbështetësit e Sali Berishës u mblodhën para selisë blu.

Protestuesit ishin përgatitur mirë, pasi kishin marrë me vete sende të forta si: çekiçë, leva, drunj, ndërkohë që përdorën dhe gurë dhe mjete të tjera rrethanore për të thyer xhamat dhe hapur dyert e selisë së PD-së që e gjetën mbyllur por me dhunë arritën të hapnin dhe të hynin brenda.

Në protestë u përdor dhe gaz lotsjellës, kryesisht nga persona që ndodheshin brenda selisë dhe donin të sprapsnin turmën. Ndërsa mbështetësit e demokratëve kanë përdorur tymuese të vogla, siç duket dhe nga fotot e mëposhtme.

Gazment Bardhi ‘kapet’ me Policinë: Lejoni hyrjen e gazetarëve në selinë e PD! Të shohin krimin e Berishës

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, pasi janë larguar protestesit, ka debatuar me efektivët e policisë që të lejonin gazetarët të hyjnë në selinë e PD-së, por në fakt policia e ka shpallur selinë ‘skenë krimi’.

“Ju lutëm të hapni rrugën të futen përfaqësuesit e medias. Nuk marr urdhër nga prokurorja për të futur median në zyrën time. Hapni rrugën për median që të shohin krimin e shëmtuar të kryer nga Sali Berisha, duke rrezikuar jetën e demokratëve”, tha Bardhi.

Por policia ka kërkuar kohën e nevojshme për kryerjen e procedurave.

Efektivët janë shprehur se duhet një konfirmim nga eprorët për të marrë një vendim.

Kaos në rrugët e Tiranës/ Protestuesit dalin nga selia e PD-së, i drejtohen kryeministrisë

Shumica  e protestuesve demokratë janë larguar nga selia e PD-së dhe po i drejtohen kryeministrisë.

Në rrugë janë mobilizuar forcat RENEA dhe efektivë të shumtë.

Disa nga protestuesit janë të dhunshëm, teksa i kemi parë të godasin me sende të ndryshme, ndërsa autobotët kanë shpërndarë turmën e ujë.

Incidentet para PD-së, reagon Ilir Meta: Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje demokratike

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me tensionet e krijuara në selinë e Partisë Demokratike këtë të shtunë nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili disa javë më parë thirri një protestë kombëtare me qëllim nxjerrjen jashtë nga godina e selisë të kryetarit Lulzim basha.

Në një deklaratë për mediat, Presidenti Meta ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme.

Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, thotë Meta.

Presidenti nënvizon se rëndësia e protestës paqësore, si një e drejtë fondamentale në demokraci, plotësisht legjitime dhe kushtetuese, duhet respektuar nga të gjithë!

Mbështetësit e Berishës janë futur në selinë e Partisë Demokratike duke përdorur trapanë e çekiçë. Ata po tentojnë të hapin dyert e blinduara të godinës.

Protestuesit kanë thyer disa xhama të selisë dhe kanë hedhur mjete të forta gjithashtu.Nga brenda në drejtim të protestuesve është hedhur një solucion që dyshohet si gaz lotsjellës dhe fikës zjarri.

“Kujt ua mbyll dyert Basha? Demokratëve?” ishte pyetja qe drejtoi Berisha gjatë zhvillimit të protestës

Tensionet në seli, reagon PD: Fatkeqësi ku përfundoi Sali Berisha, sot është braktisur nga demokratët

Partia Demokratike këtë të shtunë e konsideroi përpjekjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për të thyer dyert e godinës së selisë si një nga aktet finale të ish-kreut të kësaj partie, me veprimet e të cilit, u shënua edhe largimi i tij me turp nga skena politike.

Në deklaratën e saj për mediat, PD thekson se është për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, duke e krahasuar këtë të fundit me Edi Ramën e 21 janarit.

“Për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, i njëjtë me Edi Ramën e 21 Janarit! Me një grusht njerëzish kërkon të marrë me dhunë Partinë Demokratike për ta kthyer në një bunker, ku të strehojë veten dhe familjen kundër interesit të demokratëve dhe të shqiptarëve!”, reagon PD.  

Demokratët theksojnë se në gjithë këtë fatkeqësi për Sali Berishën, pamjet tregojnë se ai është braktisur nga demokratët, pasi po ndiqet nga 800 mercenarë në oborrin e PD-së, që ushtrojnë dhunë në këtë përpjekje të turpshme kundër demokratëve.

Aktet e dhunës së sotme kundër Partisë Demokratike shënojnë izolimin final të Sali Berishës dhe largimin me turp nga skena politike”, thotë PD.

Tensioni brenda Partisë Demokratike po kap majat, ndërsa pamjet e Top Channel të ardhura nga terreni tregojnë se brenda godinës ka pasur hedhje të gazit lotsjellës.

Aktualisht, mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, janë futur në pjesën e korridoreve të selisë blu, pasi kanë thyer xhamat në disa pjesë dhe kanë përdorur shkallët për të mundësuar mësymjen në godinë nga dritaret e katit të dytë.

Nga ana tjetër, vetë Berisha, i ka bërë thirrje mbështetësve të tij për durim, vetëpërmbajtje dhe për shkuarjen drejt fitores në këtë mënyrë.

Por, kjo nuk duket në veprimet e protestuesve, të cilët kanë shfaqur herë pas here edhe akte dhune.

Ndër to, ata kanë thyer edhe kamerat e sigurisë të vendosura në godinë prej pak ditësh.

Protestuesit marrin shkallët, do ngjiten në katin e dytë të godinës së PD-së

Protestuesit po tentojnë të futen me shkallë në katin e dytë të godinës së selisë së Partisë Demokratike.

Pasi protestuesit tentuan që të hynin në seli, duke hapur një prej dyerve, nuk kanë mundur të depërtojnë brenda godinës, ndërsa kanë zgjedhur si alternative që të futen përmes dritareve.

Mësohet se në këto momente kreu i PD-së Lulzim Basha po zhvillon një mbledhje me kryetarët e degëve.

Situata në selinë e Partisë Demokratike vijon të jetë e rënduar, në protestën e thirrur nga ish-kreu i kësaj partie, Sali Berisha, me qëllim nxjerrjen nga godina të kryetarit aktual Lulzim Basha, nën pretendimin se ky i fundit është shkarkuar nga Kuvendi i thirrur më 11 dhjetor dhe referendumi brenda anëtarësisë i një jave më pas.

Lëvizja e radhës e mbështetësve të Berishës, ka qenë ajo e nxjerrjesh jashtë funksioni të kamerave të sigurisë së godinës.

Ish-kryetari i PD-së u ka bërë thirrje mbështetësve të vetëpërmbahen.

Por duke theksuar këtu se “nuk ka njeri të drejtë t’u mbylli derën e shtëpisë”.

Nga oborri i selisë ish-kreu i PD-së ka komunikuar me mbështetësit e tij duke u dhënë sinjale për veprimet e radhës.

Ai u ka kërkuar atyre që të rrethojnë godinën.

Sipas tij, nëse Policia do të ndërhyjë do të jetë vetëm me urdhër të “kryeministrit shqiptar, Edi Rama”.

“Protesta është dhe do të mbetet protestë paqësore. Ftoj të gjithë protestuesit, demokrate dhe demokratë që sot do të ndërrojne bunkerin e Peng Bashës në shtëpinë e lirisë”, deklaroi ai për mediat.

Sipas tij, protestuesit janë mbledhur kundër bunkerit “Basha”.

Hapja me dhunë e dyerve në PD, Yuri Kim: SHBA janë të shqetësuara, ata që nxisin dhunën do jenë përgjegjës

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar për situatën në PD duke bërë thirrje që të mos ketë dhunë.

Yuri Kim  në Twitter u bën thirrje organizatorëve të protestës të qëndrojnë larg dhunës dhe të vendosin qetësi.

Ajo thotë se ata: të cilët iniciojnë dhunë apo nëpërkëmbin ligjin do të vihen para përgjegjësisë”.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me tensionet në rritje në selinë e Partinë Demokratike teksa protestuesit janë duke përdorur forcë. Ne u bëjmë thirrje organizatorëve të protestës të qëndrojnë larg dhunës dhe të vendosin qetësi. Ata të cilët iniciojnë dhunë apo nëpërkëmbin ligjin do të vihen para përgjegjësisë”.

Sulmi ndaj Roland Bejkos, reagon Alibeaj: Sali Berisha do dhunë e gjak

Nënkryetarit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar menjëherë pas incidentit të ndodhur në selinë blu, ku mbështetësit e Sali Berishës, sulmuan anëtarin e Kryesisë Roland Bejko.

Sipas Alibeajt, Berisha “do dhunë dhe gjak”.

Berisha nxit demokratët të përplasen me njeri-tjetrin dhe vetë është fshehur. Turp!”, deklaron ai.

Për të, kjo është fytyra e vërtetë e Sali Berishës, “të dhunojë këdo që nuk mendon si ai”.

Alibej si nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mbrohet nga Garda e Republikës. Një ditë më parë ish-deputeti Spartak Braho tha në studion e Top News se “një deputet me inicialet E.A., mund të vritet në protestën e sotme të thirrur nga Berisha”.

Bejko nga ana tjetër e ka cilësuar ngjarjen një “ngjarje të turpshme, e kërkuar nga Berisha”.

Sulmuan Roland Bejkon, reagon PD: Mercenarët e Sali Berishës dhunuan anëtarin e Kryesisë së PD

Partia Demokratike e ka konsideruar këtë të shtunë dhunën e ushtruar ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD, Roland Bejko si një dhunë e mercenarëve të Sali Berishës.

Në një njoftim për mediat, PD thekson se fytyra e Sali Berishës frymëzon dhunë, ushtron dhunë dhe pengon një sekretar të PD të vijë në seli në një mbledhje pune.

E papranueshme që dhunohet një demokrat i orëve të para, nje demokrat i ndershëm me kontribute 30 vjeçare në këtë parti. Roland Bejko u dhunua sot vetëm se mendon ndryshe nga Sali Berisha, vetëm se nuk i shërben interesit të Sali Berishës,  vetëm se ka vendosur ti shërbejë interesit të demokratëve dhe PD”, thuhet në njoftimin për mediat.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Roland Bejko, nuk është lejuar të futet në seli nga mbështetësit e ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Këto të fundit kanë tentuar ta godasin dhe kanë penguar futjen e tij në mbledhjen e orës 11:00 të organizuar nga kryedemokrati, Lulzim Basha.

Fill pas kësaj ai është larguar nga selia.

Bejko në deklaratën e tij jashtë selisë theksoi se, “ishte kërcënuar nga mbështetësit e Berishës, por se nuk kishte frikë nga asnjë”.

Kjo që ndodh tani më ka ndodhur në shkurt të ’91-it. Ishim duke organizuar grevën e studentëve kundër Enver Hoxhës. Kam qenë organizator. Kur po bënim atë grevë, erdhën mbështes të Hoxhës dhe na kanë shkelur me këmbë”, paralelizoi deputeti i PD-së.

Sipas tij, e gjithë kjo situatë është një produkt i Sali Berishës.

Mbështetësit e këtij të fundit kanë vijuar ndjekjen e deputeit edhe kur ai ishte jashtë selisë, duke mos e lënë as që të flasi për mediat.

Bejko u shpreh se e njihte personi  që e ka qëlluar.

Dikur ai ka ngrënë bukë në shtëpinë e time”, tha deputeti duke shtuar se nuk do të ngrejë një kallëzim në Polici.

Protesta e gjen Bashën në mbledhje me krerët e degëve, çfarë do të ndodhë?

Kreu i PD Lulzim Basha do të mbledhë në orën 11: 00 Kolegjin e Kryetarëve, pra vetëm një orë para protestës së thirrur nga Sali Berisha.

Në fakt Basha ashtu siç kishte paralajmëruar ka shkuar në seli rreth orës 08:15 të mëngjesit.

Ndërkohë në mesazhin e 
Sekretarit të Përgjithshëm
 Gazment Bardhi thuhet se mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD do të zhvillohet për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”.

Mesazhi

“Të nderuar Kryetarë,

Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor “Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë.

Ju përshëndes,Sekretari i PërgjithshëmGazment Bardhi”.

Pak orë para protestës/ Basha e nis punën herët, shkon në PD

Ndërkohë që na ndajnë pak orë nga protesta e thirrur nga Sali Berisha, kryedemokrati Lulzim Basha ka shkuar në zyrën e tij, ashtu siç e kishte paralajmëruar, se kjo e sotmja do të ishte një ditë normale pune.

Basha ka thirrur një mbledhje të Kolegjit të Kryetarëve të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë.

Protesta do të mbahet sot në orën 12:00 para selisë së PD, me qëllimin për të hapur dyert e ‘shtëpisë së demokratëve’, sikurse ka premtuar ish-kryeministri. Kjo protestë vjen pas nuk u respektua 5 janari, afati që ai i kishte lënë Bashës për të liruar selinë, gjë e cila nuk ndodhi.

Berisha premtoi dje se se protesta do të jetë paqësore e nuk do të preket asnjë punonjës i PD, por nga ana tjetër Basha flet për skenare dhune me banditë e kriminelë.

Megjithatë Basha ka thënë se janë gati për çdo gjë, ndërsa masa ka marrë edhe Kryeministria, duke ‘blinduar’ derën kryesore ashtu si kurse është bërë në çdo protestë të së shkuarës.

Sot beteja e fundit e Berishës për të ‘rrëzuar’ Bashën! Selia e PD me dyer të mbyllura, blindohet edhe kryeministria

Sali Berisha ka thirrur sot një protestë para selisë blu, si ‘beteja’   e fundit për të nxjerrë Lulzim Bashën nga zyra.

Protesta do të mbahet sot në orën 12:00 para selisë së PD, me qëllimin për të hapur dyert e ‘shtëpisë së demokratëve’, sikurse ka premtuar ish-kryeministri. Kjo protestë vjen pas nuk u respektua 5 janari, afati që ai i kishte lënë Bashës për të liruar selinë, gjë e cila nuk ndodhi.

Berisha premtoi dje se se protesta do të jetë paqësore e nuk do të preket asnjë punonjës i PD, por nga ana tjetër Basha flet për skenare dhune me banditë e kriminelë.

Megjithatë Basha ka thënë se janë gati për çdo gjë,  ndërsa masa ka marrë edhe Kryeministria, duke ‘blinduar’ derën kryesore ashtu si kurse është bërë në çdo protestë të së shkuarës.

Basha ka thënë se ditën e sotme ai do të vijojë si normalisht punën e tij dhe se e vetmja betejë për të është ajo kundër ‘regjimit të Ramës’.

“Lufta” Berisha-Basha shpërtheu në 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha, me kërkesë të SHBA, pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata nga DASH për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.

Top Channel

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Janar, 2022 16:15

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare