Sëmundjet infektive po “përhapen me shpejtësi” në spitalet e Gazës

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Dhjetor, 2023 22:43

Sëmundjet infektive po “përhapen me shpejtësi” në spitalet e Gazës

Mjekët që punojnë në Gazën e rrethuar po raportojnë për një përhapje të shpejtë të sëmundjeve infektive në rajon për shkak të mbipopullimit të shkaktuar nga civilët e zhvendosur nga sulmet e Izraelit, transmeton Anadolu.

Duke folur për faqen britanike ‘The Independent’, mjekët në Spitalin Nassar në qytetin Khan Younis në Gazën jugore thanë se mungesa e vaksinave thelbësore për të sapolindurit përshpejton përhapjen e sëmundjeve në spitale.

Përveç sëmundjeve infektive, ata gjithashtu thanë se kanë të bëjnë me viktima dhe fatalitete për shkak të sulmeve intensive të Izraelit.

Dr. Asem Mohammed tha se mbipopullimi krijon kushte të favorshme për përhapjen e sëmundjeve infektive, ndërsa mungesa e pajisjeve mjekësore dhe qasja e kufizuar në ujë të pastër e përkeqëson më tej situatën.

Ai tha se rrethinat e spitalit janë të stërmbushura me “sëmundje infektive si infeksione mykotike, infeksione të lëkurës, pneumoni dhe probleme epidemiologjike”.

Dr. Yousef Adnan tha se për shkak të qasjes së kufizuar në ujë të pastër ata çdo ditë po trajtojnë mijëra njerëz që vuajnë nga diarreja. Ai situatën aktuale në spital e quajti një “katastrofë”.

“Pacientët po mjekohen në tokë dhe në agoni duke vajtuar”

Dje, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi natyrën e tmerrshme të konfliktit të vazhdueshëm dhe bombardimeve të rënda në Gaza.

“Dje, ekipi ynë vizitoi Spitalin Mjekësor Nassar në jug (të GazëS). Ai ishte i mbushur me 1 mijë pacientë, tre herë më shumë se kapaciteti i tij. Njerëz të panumërt po kërkonin strehim, duke mbushur çdo cep të objektit. Pacientët po merrnin kujdes në dysheme, duke vajtuar nga dhimbja. Këto kushte janë përtej të papërshtatshmes, të paimagjinueshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor. Nuk mund të gjej fjalë aq të forta për ta shprehur shqetësimin tonë për atë që po ndodh”, tha ai.

“Armëpushim. TANI”, kërkoi shefi i OBSH-së.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 4 Dhjetor, 2023 22:43

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare