Sërmnova në festë: Një çerek shekulli me SHKA “Lulet e Malësisë”

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 16:21

Sërmnova në festë: Një çerek shekulli me SHKA “Lulet e Malësisë”

Gjysëm shekulli barti amanet, e ruajti e solli kulturë shqiptare, solli këngë burimore shqipe ku ju këndua trimave, martirëve të kombit, ruajti me fanatizëm doket e zakonet, i dha jetë gjithçkaje që frymonte shqip edhe në kohët më të vështia. Është kjo shoqëria kuturore artisike “Lule e Malësisë”, e cila gjithçka nga puna e saj ka dokumentuar për 25 vite edhe pse zanafillën e ka plotë 50 vite më parë në fshatin heroik të Sërmnovës. Me rastin e shënimit të gjysëm shekullit nga ekzistimi, kjo shoqëri ka organizuar në Sërmnovë një manifestim të pasur artistik. Manifestimi u hap me vallen e shqiponjave nga valltarët e shoqërisë “Dardanët” nga Saraji i Shkupit.

Në manifestim është promovuar edhe libri monografik për “Lulet e Malësisë”. “Malësia e Gostivarit, gjysëm shekulli histori arti”, mbanë titullin ky libër, në të cilin janë të fotodokumentuara ngjarjet më të rëndësishme të trashigimisë kulturore të malësisë së Gostivarit. Kryetari i SHKA “Lulet e Malësisë”, Luan Veliu i cili është edhe autor i librit monografik, tha se në Malin e Thatë janë rritur shumë lule të malësisë, disa nga të cilët disa nuk i kemi në mesin tonë, por ishin nismëtarët e SH.K.A “Lulet e Malësisë” ata që dhanë maksimumin për vite me rradhë që shoqëria të egzistojë.

“Këtu ne jemi në 25 vjetorin e themelimit të shoqërisë nga viti 1996 deri në vitin 2022. Jemi mbledhur jo vetëm malësia që na rrethon, por edhe nga qyteti dhe përfaqësues nga institucione të ndryshme na kanë ardhur për të ndjekur këtë program voluminoz i cili ka rëndësitë e veta. Vijmë me tre këngë të reja që janë përgatitur enkas për këtë manifestim, bëhet fjalë për rapsodin mbarëkombëtar Azis Aliun, Ismail Mehmedin – Komandat Fishekun dhe për Xhemë Gostivarin”, deklaroi Luan Veliu, kryetar i SH.K.A “Lulet e Malësisë”.

Manifestimi për shënimin e këtij përvjetori të “Luleve të Malësisë”, ishte zgjedhur të mbahej në periudhën kur në vendlindje ndodhen bashkëatdhetarët, prej ku Veliu tha se ka ardhur koha që stafetën e drejtimit të shoqërisë ta merr rinia. Ai apeloi edhe institucionet për mbështetje më të madhe të shoqërive kulturore shqiptare.

“Sigurisht që kam mesazh dhe shpesh herë e kam potencuar që gjenerata e vjetër duhet të pushon dhe 25, 50 apo 100 vitet e ardhshme të vazhdojnë gjeneratat që vijnë në vijim, me qëllim që mos harron traditat, doket, fyelli, çiftelia dhe vallja. Sa u takon institucionev uroj që të jenë sa më pranë këtyre manifestimeve nga shkaku se ndihmesa që na japin ata, nuk i mbulon këto aktivitete që ne i organizojmë, atëherë kur ne festojmë, kur e presim edhe mërgatën tonë të shkëlqyer, të cilën unë e falenderojë për mbështetjen që ia dhanë këtij manifestimi ku bëhet edhe promovimi i librit monografik mbi aktivitetin e shoqërisë për 25 vite. Prandaj, i lus edhe një herë institucionet të jenë sa më pranë jo vetëm të kësaj por edhe të shoqërive të tjera të cilat japin kontribut falas me qëllim që të zhvillohet kultura shqiptare”, theksoi më tej Veliu.

Gazetari Bekim Adili nga Kërçova, i cili është bashkautor dhe redaktor i libirt monografik të SH.K.A “Lulet E Malësisë”, duke folur mbi përmbajtjen e të njejtit nënvizoi se ndjehet me fat që përmes punës mbi këtë libër, është njoftuar me një histori gjysëm shekullore.

“Malësia shqiptare, po në rastin konkret Malësia e Gostivarit, ka ruajtur, ka trashëguar ndër shekuj melosin, trashigimin tonë kulturore në çdo sferë e pore të jetës së saj. Në këtë rast dua të theksoj kontributin e jashtëzakonshëm ku rrallë herë nxjerrim në pah vlerat e nënave tona. Nga aty fillon jo vetëm lindja biologjike e njeriut, por edhe edukata, ushqimi me ndjenja atdhedashurie për familjen, vendin, vendlindjen dhe ato kanë qenë të heshtura por me një meritë të jashtëzakonshme për mendimin tim. Pastaj vjen periudha e artëdashësve, patriotëve të vërtetë, të cilët kanë qenë edhe themelues të kësaj shoqëria, disa prej tyre sot dëshmorë dhe ky manifestim u dedikohet kryekëput atyre dhe të gjithë pleadës gjysëmshekullore të rrugëtimit që e ka pasur jo të lehtë SH.K.A ‘Lulet e Malësisë’”, deklaron gazetari, Bekim Adili.

Zanafilla e SH.K.A “Lulet e Malësisë” fillon në shtator të vitit 1972 në fshatin Sërmnovë. Një numër i madh atdhedashës e themelojnë këtë shoqëri në atë kohë, por e njejta për ish regjimin jugosllav rezultoj si një “celulë” armiqësore, dhe si e tillë ajo merr urdhër të mos funksionojë në organizmin e eventeve kulturore të cilat realisht për qëllim kishin ngritjen e frymës të atdhedashurisë në mesin e popullatës së Malësisë së Gostivarit.

Ndryshe, manifestimi është mbyllur me një koktej rasti të cilin e kishte përgatitur restoranti “New Albis”, pronarët e të cilit me prejardhje janë nga fshati Sërmnovë.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Gusht, 2022 16:21