Sfidat që e presin Liz Truss në krye të Britanisë!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 10 Shtator, 2022 22:32 Updated

Sfidat që e presin Liz Truss në krye të Britanisë!

Ndërsa britanikët po shqetësohen gjithnjë e më tepër për rritjen dramatike të kostos së jetesës, një kryeministre e re do të marrë detyrën në 10 Downing Street. A posedon Liz Truss gjithçka që duhet për t’u gjetur rrugëzgjidhje shqetësimeve të qytetarëve?

47-vjeçarja Liz Truss ka një histori të gjatë. Deputete e Parlamentit Britanik që nga viti 2010, ajo ka mbajtur disa poste ministrore në qeveritë e David Cameron dhe Theresa May. Ajo ishte ministrja e parë femër e Drejtësisë. Në qeverinë e Boris Johnson, ajo pati fillimisht postin e Sekretares së Shtetit për Tregtinë, ndërsa më pas atë të ministres së Punëve të Jashtme, gjë që e ndihmoi atë të fitonte më shumë reputacion. Në garën e lidershipit, ajo u pozicionua qartë në të djathtë, me një diskurs të fokusuar në reduktimin e ndërhyrjes së shtetit dhe uljen e taksave.

Sipas Matthew Flinders, profesor i shkencave politike në Universitetin e Sheffield, Angli, duke marrë si modele ish-kryeministren Margaret Thatcher, ndonjëherë në mënyrë karikaturale, ajo i detyroi kandidatët e tjerë të merrnin pozicione mjaft radikale. “Ajo i shtyu ata të jenë më të ashpër ndaj taksave, emigracionit, shtetit dhe burokracisë, më të ashpër ndaj çështjeve evropiane, edhe nëse thellë thellë ata janë shumë më pragmatikë sesa guxojnë të sugjerojnë”, thekson Flinders. Liz Truss ka reputacionin e çuarjes së gjërave deri në fund, vëren Victoria Honeyman, profesoreshë e asociuar e politikës britanike në Universitetin e Leeds. “Mbështetësit e saj pohojnë se ajo ka mundur të avancojë dosjet e saj, veçanërisht si ministre e Punëve të Jashtme, ndërsa kundërshtarët e saj pretendojnë se Truss më shumë ia del të mbulojë arritjet e saj të pakta”, vë në dukje ajo.

Kritikuesit e Liz Truss theksojnë, për shembull, se që nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE, nuk është arritur asnjë marrëveshje tregtare me partnerë të mëdhenj si SHBA, India apo Kina dhe se nuk ka asgjë për t’u mburrur nëse kemi negociuar me Norvegjinë. Australinë ose Ishujt Faroe.

Për sa i takon Brexit-in, ndërkohë që në fillim ishte vendosmërisht kundër, duke mbrojtur qëndrimin e Britanisë brenda BE, ajo më pas u konvertua, kur ky opsion mbizotëroi. Ajo nuk ka ideologji politike dhe shpesh ndryshon mendje, duke thënë “unë përshtatem”, shpjegon Sarah Pickard, pedagoge dhe kërkuese shkencore në fushën e qytetërimin bashkëkohor britanik pranë Universitetit Sorbonne Nouvelle në Paris, sipas të cilës, kryeministrja e re britanike është një politikane oportuniste, sepse “ajo e modifikoi mesazhin e saj për t’u bërë sa më e pëlqyeshme për anëtarët e Partisë Konservatore që do zgjidhnin liderin e ri. Militantët janë shpesh më radikalë se deputetët dhe qytetarët jashtë partive në përgjithësi, kështu që ajo iu përshtat javët e fundit të parëve, duke mbajtur qëndrime gjithnjë e më ekstreme dhe duke rritur dozat e populizmit në diskursin e saj”.

ÇFARË U OFRON LIZ TRUSS BRITANIKËVE?

Sipas disa analistëve, ajo çka Liz Truss ka thënë deri më tani nuk duhet marrë shumë në konsideratë, pasi mbi të gjitha ajo u përpoq të diferencohej nga kundërshtari kryesor në garën e lidershipit, ish-kancelari Rishi Sunak dhe kjo ka të ngjarë të ndryshojë rrënjësisht qysh nga 6 shtatori, vëren Matthew Flinders, i cili pret ta dëgjojë atë të prezantojë “një vizion shumë më pozitiv dhe gjithëpërfshirës të vendit”. “Unë imagjinoj dhe shpresoj se ajo që do të shohim, është strategjia e kundërt. Pas lëvizjes në të djathtë për të fituar garën e lidershipit, ajo tani do të përpiqet të kthehet shpejt në qendër dhe të përqafojë një konservatorizëm më pak rigjid”, thekson ai. I të njëjtit mendim është dhe Chris Stafford, studiues i politikave britanike në Universitetin e Nottingham-it, i cili mendon se Liz Truss i është përmbajtur deri tani vetëm atyre gjërave që anëtarët e Partisë Konservatore donin të dëgjonin. “Ajo nuk donte të merrej me tema delikate që mund të ishin jopopullore. Pra, nuk dihet shumë, përveç faktit se ajo synon të ulë taksat, në vend që të sigurojë mbështetje financiare, siç propozohej nga rivali i saj, Rishi Sunak”.

Situata ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar aktualisht është shumë e vështirë. Norma e inflacionit arriti në 10.1% në korrik dhe Banka e Anglisë pret që ai të kalojë shifrën 13% në tetor, nivel ky shumë më i lartë se në vendet e tjera të G7. “Kjo është tema për të cilën të gjithë po flasin, – nënvizon Victoria Honeyman e Universitetit të Leeds, – njerëzit janë shumë të shqetësuar”.

Liz Truss ende nuk ka shpjeguar se si ajo planifikon të ndihmojë familjet që do të përballen me kostot në rritje të energjisë. Fatura mujore e gazit dhe e energjisë elektrike do të rritet me 80% nga tetori. Kufiri i autorizuar i çmimeve do të bjerë nga 1,971 paund (2,992 dollarë) në vit, për familje, në 3,549 paund (5,387 dollarë). Dhe mund të jetë më keq vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër, të ardhurat reale ranë me 3% gjatë tremujorit të fundit. Sipas një sondazhi të YouGov, një të katërtës së britanikëve u është dashur të shkurtojnë shpenzimet thelbësore. Të ardhurat reale të disponueshme të familjeve pritet të bien në total me 10% në 2022 dhe 2023, rënia më e madhe e standardeve të jetesës në një shekull, sipas institutit të kërkimit Resolution Foundation. Më konkretisht, kjo do të thotë 3,000 paund (4,555 dollarë) më pak në vit për një familje mesatare. Pakënaqësia sociale është e madhe dhe po reflektohet veçanërisht nga greva masive në disa sektorë, përfshirë transportin.

“Gjatë fushatës për lidershipin, Liz Truss deklaroi se sindikalistët militantë, po e mbanin peng vendin dhe se ajo synonte të vendoste shpejt masa të ashpra për të kufizuar të drejtën e grevës dhe për të garantuar një nivel minimal shërbimesh esenciale, por ajo nuk dha detaje se çfarë planifikon të bëjë për rritjen e kostos së jetesës. Ajo përmendi se mund të ulte taksat, por kurrë nuk foli për një kufi tavan të çmimit të energjisë në shkallë të gjerë”, thekson Victoria Honeyman.

Ndërsa nga ana e saj, Sarah Pickard e Universitetit të Sorbonës, nuk është e bindur për aftësitë e Liz Truss në fushën e ekonomisë. Plani i Truss për të ulur taksat “është krejtësisht i shfazuar në raport me situatën aktuale”, beson ajo. “Ky plan do të favorizojë veçanërisht familjet më të pasura, sepse ulja e taksave dhe tarifave, nuk u jep mjaftueshëm para për t’u ushqyer apo për të ngrohur shtëpinë familjeve me të ardhura më të ulëta”. Liz Truss kohët e fundit anuloi një intervistë që do t’i jepte BBC-së, me arsyetimin se ishte shumë e zënë. “Por kjo ndodhi për shkak se ajo nuk ndihej komode të fliste për ekonominë”, tha Pickard. “Strategjia e saj është më mirë të mos thotë asgjë sesa të thotë marrëzira”. Krahas rritjes së kostos së jetesës, kryeministres së re britanike do t’i duhet të përballet edhe me situatën e sistemit shëndetësor, në krizë të madhe, me një deficit prej 12 mijë mjekë dhe 50 mijë infermierë. Rreth 6.5 milionë pacientë janë në listat e pritjes për trajtim mjekësor. Po kështu, sfida tjetër kryesore që ajo do të duhet të trajtojë gjatë mandatit të saj është ajo e Brexit, kujton Chris Stafford. “Ridefinimi i rolit të Britanisë në botë dhe i marrëdhënieve të saj me Evropën do të jetë një çështje e madhe tek e cila ajo do duhet të fokusohet”, thekson ai.

“Është e qartë që askush nuk pret që ajo t’i zgjidhë shpejt të gjitha problemet, por nga ana tjetër është e domosdoshme që ajo të demonstrohet e suksseshme në gjenerimin e një perceptimi të stabilitetit”, vëren Matthew Flinders, “që të paktën të jemi të sigurt se bëhet fjalë për një qeveri kompetente që e di se ku po shkon”.

AFATI ZGJEDHOR I VITIT 2024

Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme duhet të zhvillohen në dhjetor 2024 ose më së voni në janar 2025, pesë vjet pas atyre që sollën në pushtet Boris Johnson. Pritet që ky afat të shtyhet sa më shumë që të jetë e mundur, beson Victoria Honeyman. Aq më tepër që, në kontekstin aktual, Liz Truss nuk do të ketë të drejtën “të shijojë një muaj mjalti”. “Një kryeministër i ri zakonisht e ka një periudhë fillimi më të qetë, kur ende reputacioni ka kuota të larta, por Liz Truss nuk do mund të përfitojë nga kjo”, mendon ajo. “Në kushtet aktuale, kuotat e larta do bien sapo njerëzit të marrin faturat e para të gazit dhe energjisë elektrike në tetor”. Për momentin, Laburistët kryesojnë në sondazhe me 8 pikë përpara konservatorëve (39% me 31%), sipas një sondazhi të YouGov të kryer në fund të gushtit. Nëse, teorikisht, kryeministrja ka dy vjet për t’u rikuperuar, nuk ka gjasa që ajo të ketë sukses, vlerëson Chris Stafford. “Boris Johnson bëri shumë gabime dhe unë nuk mendoj se Liz Truss është personi i duhur për daljen nga situata”. Ashtu si në rastin e Johnson, ai mendon që ajo nuk ka vizion apo plan të qartë për vendin, siç mund të kenë pasur në të kaluarën ish-kryeministrat Tony Blair apo Margaret Thatcher.

Sfida për Liz Truss do të jetë mbi të gjitha të afrohet më shumë me votuesit, beson Matthew Flinders. “A e ka ajo inteligjencën dhe ndjeshmërinë e nevojshme emocionale?” – pyet ai. – “A do të donin njerëzit të pinin një filxhan çaj me të”? “Theresa May nuk ia doli kurrë, ndërsa Boris Johnson mund të kalonte provën e kafesë, çajit, birrës… Duam apo nuk duam, ai e ka aftësinë për të krijuar lidhje. Por a do të arrijë Liz Truss të komunikojë me britanikun mesatar? Suksesi i saj do të varet nga ajo, por edhe nga performanca e liderit laburist Sir Keir Starmer. Ai që zëvendësoi Jeremy Corbyn në 2020 po përpiqet gjithashtu të krijojë lidhje me elektoratin. Laburistët janë përpara në sondazhe, por pas dështimeve të Boris Johnson, ata duhet të jenë akoma më shumë përpara”, përfundon profesori Flinders, i Universitetit të Sheffield.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 10 Shtator, 2022 22:32 Updated