Programet studimore dhe strategjitë në arsim janë më se të nevojshme, por janë në kompetencë të Bordit të Akreditimit, thotë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. Ai potencon se për vitin paraprak dhe për këtë vit u është dhënë udhëzim universiteteve që të kufizojnë numrin e kuatova në mënyrë proporcionale me numrin e maturantëve.
Në përpunim e sipër është Ligji për Arsim të Lartë për përshtatjen e programeve në bazë të nevojave të tregut të punës.
“Akreditimin e programeve studimore për të gjithë universitetet, qoftë publike dhe private, e jep Bordi i Akreditimit. Analizën paraprake, arsyeshmërinë e programeve, po e njëjta, e jep Bordi i Akreditimit dhe vlerëson se cili program ku është më i përshtatshëm. Tash ne po dorëzojmë Ligjin e Arsimit të Mesëm dhe Ligjin e Arsimit Profesional në seancë të Komisionit, pas asaj do të vazhdojmë me pikat tjera të cilat do të vazhdojmë me Ligjin e Arsimit të Lartë, dhe këto gjëra do t’i kemi në konsideratë. Do të vazhdojmë me Ligjin e Arsimit të Lartë, që të përshtasim tregun e punës me nevojat që i kemi në tregun e punës. Analiza në arsimin e lartë universitar na tregon se edhe pse japim bursa, në disa degë ka rënë interesi për degët arsimore.” – tha Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.