Shazim Mehmeti, njeriu i artit dhe shkencës

Shazim Mehmeti, njeriu i artit dhe shkencës

Dymbëdhjetë libra nga fusha të ndryshme të letërsisë dhe një libër nga fusha e ndërtimtarisë. Fitues i disa çmimeve të rëndësishme letrare për poezi dhe tregime. Me poezi, tregime dhe ese është i përfshirë në shumë antologji në gjuhën shqipe dhe gjuhë tjera. Deri tash ka hapur pesë ekspozita personale me piktura. Është magjistër i shkencave teknike të ndërtimtarisë. Në dhjetor të vitit që po lejmë pas fitoi edhe titullin shkencor, doktor i shkencave filologjike. Është ky Shazim Mehmeti, i cili opinionit publik i është i njohur edhe me esetë e publikuara dhe me shkrimet e shumta publicistike

Driton ZENKU

Përcaktimi i profesionit, kjo është dilema që shoqëron veprimtarinë dhe krijimtarinë e njeriut të palodhshëm të përqendruar në shumë
fushëveprime. Me shumë kompetencë mban epitetet poet, prozator, eseist, dhe piktor, kështu mund të përshkruhet portreti i tij për sa i përket angazhimeve në fushën e artit dhe kulturës. Por kjo nuk do të ishte e mjaftueshme, po të mos përmendeshe edhe angazhimi i tij në sferën profesionale.

Edhe në këtë drejtim, sërish ngjallet një dileme, cili nga titujt shkencorë të përmendet i pari, magjistër i shkencave teknike të ndërtimtarisë apo doktor i shkencave filologjike. Gjithë këto epitete me shumë merita i mban mbi supe, pesëdhjetenjëvjeçari Shazim Mehmedi nga Gostivari, i cili opinionit publik i është i njohur edhe me esetë e publikuara dhe me shkrimet e shumta publicistike.

Shazim Mehmeti është i lindur në vitin 1958 në Balindoll të Gostivarit. Ka kryer studimet e rregullta dhe studimet e magjistraturës në Prishtinë, ku dhe mori titullin, magjistër i shkencave teknike të ndërtimtarisë. Në dhjetor të këtij viti, doktoroi në shkencat filologjike në Shkup. Për momentin punon si ligjërues në Universitetin Shtetëror në Tetovë, ndërkohë që jeton në Gostivar.

Deri tash ka botuar dymbëdhjetë libra nga fusha të ndryshme të letërsisë dhe një libër nga fusha e ndërtimtarisë. Me poezi, tregime dhe ese është i përfshirë në shumë antologji në gjuhën shqipe dhe gjuhë tjera si: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, maqedonisht, etj. Është fitues i disa çmimeve të rëndësishme letrare për poezi dhe tregime. Pjesë e pandashme e shpirtit të tij prej artistit, është edhe piktura.

Nga viti 2004 atëherë kur fillon të merret edhe me pikturë, deri tash ka hapur pesë ekspozita personale me piktura të punuara në teknikat: vaj mbi pëlhurë, akril mbi pëlhurë dhe teknikë të kombinuar.

Së fundi, në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski”, të Universitetit “Shën Kirili e Metodi” në Shkup, më 21 dhjetor të këtij viti, me shumë sukses mbrojti temën e doktoraturës.

Ndjenja për artin

Ishte viti 1991 atëherë kur Shazim Mehmeti në opinion u paraqit me përmbledhjen e tij të parë me poezi, të titulluar “Drejtpeshimi i humbur”. Kësaj disipline të artit, edhe sot e kësaj dite i qëndron besnikë.

Për autorin poezia është një lloj katarsisi, që ia mundëson të jetë vetëm me veten, në një liri pothuajse maksimale, siç shprehet ai, nëse ekziston ajo.
“Por, edhe një mënyrë jetese, do të thosha. Është diçka që doli më e fortë se profesioni im prej inxhinieri, diçka që më detyroi të bëhem rob i saj, madje duke ma rrezikuar edhe bukën e gojës. Poezia është shtysa që më lidhi me sedimentimet me përfaqësuese të letërsisë së arrirë, që më shtyri, në këtë fazë të jetës sime, të merrem edhe me punë kërkimore në letërsi”, ndan mendimin Mehmeti.

Për atë, manovrimi brenda disiplinave të arrit, nuk paraqet ndonjë dallim drastik, të paktën kështu e quan, kalimin e tij nga poezia në pikturë, dhe anasjelltas.

“Nuk ka kalime. Piktura paska qenë brenda meje, njësoj si letërsia. Ajo vetëm sa kishte pritur çastin e përshfaqjes, konkretizimit. Erdhi natyrshëm, dhe unë duke qenë i këtillë siç jam, vetëm sa ia hapa derën për t’i thënë: mirë se vjen, ashtu siç i thotë trishtimit mirë se vjen, në një nga romanet e veta M. Jursenar”, shprehet Mehmeti.

Për atë, edhe piktura është një pjesë e pandarë e tij, e thellë po aq sa krijimtaria letrare.

“Një  lloj katarsisi tjetërfare. Një  lloj krijimtarie, në pamje të  parë vetëm vizuale, që  në të vërtetë është  ndryshe: e thellë po aq sa krijimtaria letrare, me fshehtësira të pafundshme, me mister e me shumë  magji, për aq sa s’ndahesh dot prej saj”, thekson Mehmeti.

Vit i bereqetshëm për Mehmetin

Derisa çdo kush, si zakonisht në fund të vitit kalendarik numëron sukseset e arritura brenda dymbëdhjetë muajve, Shazimi, krahas të tjerave mund të mburret me tre të arriturat e tij kryesore gjatë vitit 2009. Këto të arritura sërish paraqesin një fushëveprim shumëdimensional.

Në gusht të vitit që po lejmë pas, Shtëpia Botuese “Nositi-sh”, editoi librin me poezi “Lumenjtë e Dritës”, të autorit Shazim Mehmeti. Vëllimi më i ri i poetit Mehmeti, është i ndarë në pesë kapituj. “Kalon përmes drite”, “Plakja e Diellit”, Ethe dhe Mall”, “Faqesh më rrëshqet një lot gëzimi”, “Lërna Zot”, titullohet kapitujt në të cilat janë mishëruar më tepër se 200 poezi. Cikli më i ri me poezi, përmban një gamë të zgjeruar poezish, shumica e të cilave përbëjnë krijimtarinë e fundit të autorit, mirëpo nuk mungojnë edhe poezitë e vjetra, të cilat janë përshkuar sërish nga dora e të atit të tyre.

Po të njëjtin vit, në fillim të shtatorit autori u paraqit në opinion edhe me një vepër studimore. ”Pellgu i mësipërm i lumit Vardar”, mban titullin libri i autorit, që në brendi artikulon studimet burimore mbi përcaktimin e kushteve hidrografiko- hidrologjike në pellgun e mësipërm të lumit Vardar. Në studim janë trajtuar kushtet klimatike në përgjithësi dhe reshjet në veçanti.

Viti 2009 për Shazim Mehmetin, karakterizohet edhe si triumf në karrierën e tij profesionale. Mehmeti me shumë suksese ka mbrojtur temën e doktoraturës me titull “Kulti i ngrehinës në prozën e Kadaresë”. Me këtë rast, ka shpalosur përbërjen strukturore të kësaj pune kërkimore shkencore për disa nga romanet emblematike të Kadaresë, si “Kështjella”, “Ura me tri harqe”, “Pallati i Ëndrrave” dhe “Piramida”.

Gjatë mbrojtjes së doktoraturës, komisioni e vlerësoi lart punën kërkimore të Shazim Mehmetit. Siç u tha nga anëtarët e komisionit, kjo punë kërkimore reflekton përmasën e gjerë të gamës studimore të kandidatit mbi strukturat romanore të Kadaresë, e gjithë kjo shqyrtuar nga një kënd i paracaktuar tematik, i patrajtuar më parë, dhe me kujdesin e praktikimit të teorive të zbërthimit dhe analizës së tekstit letrar, ku një vëmendje e
veçantë i është kushtuar studimit të prirjes kadareane për të vënë në qendërsim të romanit ngrehinat dhe kultin e ngrehinës.

Veprat:

Drejtpeshimi i humbur, 1991, poezi
Shkallmimi i shtëpisë, 1992, poezi
Varre dhe kumë, 1993, poezi
Kam frikë  nga lehjet, 1994, poezi
S’e besoj parajsën tënde, 1995, poezi
Tullaci dhe netët me hënë, 1995, tregime
Baladë  për sedrën, 1996, tregime
Zogj shpirti, 1997, poezi
Lumenj që  fluturojnë, 1999, poezi
Stinë  e kafshës, 2000, poezi
Tregime, 2006, tregime
Lumenjtë  e dritës, 2009, poezi
Pellgu i mësipërm i lumit Vardar, 2009, studim shkencor

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 24, 2018 11:54

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...