SHBA kërkon nga aleatët në Azi që të veprojnë kundër ndikimit të Huawei

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 23, 2019 21:56

SHBA kërkon nga aleatët në Azi që të veprojnë kundër ndikimit të Huawei

SHBA-të kanë kërkuar nga aleatët e saj në Lindjen e Largët që të frenojnë tregun e gjigantit kinez të teknologjisë Huawei në rajon.

Departamenti Amerikan i Shtetit do të mbajë një seminar prapa dyerve të mbyllura në Tajlandë me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut dhe përfaqësues të bizneseve për të kërkuar mundësi për të ndërhyrë në tregun e pajisjeve të komunikacionit në Azinë Juglindore, raportoi Chosunilbo, gazeta e përditshme me seli në Seul.

Ky veprim vjen pasi Washingtoni zyrtar akuzoi kompaninë Huawei se ka spiunuar konsumatorët e sajë për autoritetet kineze, duke kërkuar nga Koreja e Jugut, aleati i vjetër i SHBA-ve, që të kufizojë përdorimin e Huawei.

“SHBA vazhdon t’i thotë Ministrisë së Jashtme përmes kanaleve të ndryshme diplomatike se përdorimi i produkteve Huawei mund të krijojë probleme serioze”, shkruan gazeta.

Në të gjithashtu thuhet se Washington-i synon të përdorë Samsung-un, kompaninë e teknologjisë me seli në Seul, për “t’u siguruar që pajisjet e Huawei nuk do të shpërndahen më tutje në Azinë Lindore”.

Duke pasur një prezencë ushtarake prej 28.000 trupave në Korenë e Jugut, SHBA-të i kanë kërkuar Seulit zyrtar që të kufizojë shërbimet celulare të Huawei nga “zona të ndjeshme” brenda Koresë, me gjasë aty ku ushtria amerikane ka instalimet e saja, thuhet në raport.

“Huawei përfundimisht duhet të dëbohet nga Koreja”, gazeta citon të ketë thënë një zyrtar të paidentifikuar amerikan, duke shtuar se Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut është e njohur me shqetësimet e SHBA-ve.

Megjithatë, Seuli zyrtar ka ruajtur qëndrimin kundër këtij propozimi, pasi çdo vendim kundër Huawei do të ndikonte në bizneset e saja.

Në ndërkohë, agjencia e lajmeve Kyodo me seli në Tokyo, raporton se operatorët kryesorë japonezë të shërbimeve celulare do të ndërpresin shitjen e smarfonëve të rinj Huawei.

Në raport thuhet se kompanitë e telekomunikimeve dhe kompanitë për shitje online si KDDI Corp., Rakuten Inc., NTT Docomo Inc., dhe SoftBank Corp. do të prolongojnë shitjen e modeleve të rinj të smartfonëve Huawei, që fillimisht ishte caktuar të fillojë në fund të këtij muaji.

Presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke shpallur emergjencë nacionale nga shkaku i “kërcënimeve ndaj informatave, teknologjisë dhe shërbimeve të komunikimit” në SHBA, duke vendosur sanksione ndaj kompanisë Huawei dhe duke e vendosur në listën e zezë e të bërit biznes me kompani amerikane.

Megjithatë, nga kompania Huawei thanë se ndalesa e funksionimit të biznesit të saj mund të dëmtojë vetëm interesat amerikane.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 23, 2019 21:56