SHBA: Moratoriumi ishte ideuar si zgjerim i hapësirës së kompromisit mes Kosovës e Serbisë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Maj, 2022 19:17

SHBA: Moratoriumi ishte ideuar si zgjerim i hapësirës së kompromisit mes Kosovës e Serbisë

Kosova e Serbia janë shtete sovrane që kanë të drejtë të përcaktojnë prioritetet e tyre të politikës së jashtme i ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan Zërit të Amerikës, pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, se Kosova shkeli Marrëveshjen e Washington me kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Mrrëveshja e Washington, që asokohe ishte nënshkruar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në shtator të 2020’s, ku dy palët zotoheshin në dokumente të ndara për bashkëpunim ekonomik. Marrëveshja ka edhe aspektin politik që përfshinte edhe moratoriumin e përmbajtjes së Kosovës nga aplikimi për anëtarësi në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia nga fushata diplomatike e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Moratoriumi ishte ideuar që të zgjerohet hapësira për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin besojmë se është në interesin e dy shteteve. Ende e konsiderojmë se dialogu i normalizimit të marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është kyç për arritjen e të ardhmes evropiane për të dy shtetet. I thërrasin për pjesëmarrje të menjëhershme, fleksibile në atë proces” kanë njoftuar nga Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës.

Në shtator të 2021’s para se të skadonte moratoriumi njëvjeçar, Departamenti i Shtetit kishte inkurajuar Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë t’i përmbahen moratoriumit rreth çështjeve që komplikojnë përparimin në rrafshin teknik.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 13 Maj, 2022 19:17