SHBA, nga COVID-19 varrimet bëhen virtuale, mund të ndjeken nga makina

Desk
By Desk April 15, 2020 22:52

SHBA, nga COVID-19 varrimet bëhen virtuale, mund të ndjeken nga makina

Një nga aspektet më të trishtueshme të gjithë pandemisë së koronavirusit, është padyshim pamundësia për të nderuar deri në fund personat që kanë ndërruar jetë, jo vetëm për shkak të COVID-19, sepse masat shtrënguese të distancimit social interesojnë të gjithë ceremonitë ku parashikohen grupe njerëzish.

Por disa kanë filluar të mendojnë edhe për këtë pjesë, duke i paraprirë një procesi që në të ardhmen mund të jetë rutinë.

Në San Antonio, në Teksas, një varrezë e qytetit amerikan u shndërrua në të parën institucion të atij lloji që ka realizuar një transmetim drejtpërdrejt të ceremonisë.

Ndërkohë që brenda kishës ku zhvillohet ceremonia, ndodhen vetëm familjarët e ngushtë, jo më shumë se 10, gjithë të tjerët mund ta shihnin ceremoninë live në disa ekrane të mëdha, më së shumti të ulur në automjetet e tyre. Diçka jo e ndryshme nga kinematë verore me të cilat janë mësuar gjenerata të ndryshme amerikanësh, por me subjekt padyshim të ndryshëm.

Disa prej tyre mund të afroheshin me makinë afër një dritareje ku shihnin për pak momente të ndjerin, dhe ata që dëshironin të thoshin një fjalë ngushëlluese familjes, e kishin mundësinë përmes një mikrofoni, pa lëvizur edhe në atë akt nga automjeti.

Shërbimi i varrezave të Mission Park siguronte edhe transmetimin online në websitin e tyre, duke mundësuar homazhet edhe atyre që ndodheshin larg ose në karantinë.

“Shërbimi është falas”, shpjegon menaxheri i varrezave, Dick Tips. “Familjet tona po vuajnë shumë, duam të bëjmë gjithçka që ta lehtësojmë sa më shumë ketë moment”.

 

Desk
By Desk April 15, 2020 22:52