Shefat në Pollog, fytyra të reja në Shkup e Kumanovë

Shefat në Pollog, fytyra të reja në Shkup e Kumanovë

Deri më 12 mars më mesnatë partitë duhet t’i dorëzojnë listat zgjedhore për gjashtë njësitë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Njerëz të dëshmuar në shoqëri, paralajmërohen nga partitë se do të jenë bartës të listave për deputet, emrat e të cilëve ende nuk kumtohen zyrtarisht. Po ashtu nga partitë politike shqiptare paralajmërohen dhe risi dhe prurje të reja në këto zgjedhje. Ndërkohë LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe VMRO-DPMNE-ja e Hristian Mickoskit tanimë kanë bërë të ditur se deri më 10 mars do ti bëjnë të ditur emrat e bartësve dhe listave të kandidatëve për deputet. Nga LSDM-ja për KOHA thonë se emrat e kandidatëve për deputet do ti publikojnë pas mbledhjes së Komitetit ekzekutiv të partisë i cili duhet të mblidhet nga 8 deri më 12 Mars. Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE deklarojnë se bartësit e listave do t’i publikojnë më 5 mars, ndërsa kandidatët tjerë deri më 10 Mars.

Në bllokun politik shqiptar tanimë është e qartë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të garojë e vetme, ndërsa përball do të ketë koalicionin ASH-Alternativa. Ende nuk është definuar se si do të paraqiten në zgjedhjet e 12 prillit, Lëvizja BESA e Bilall Kasamit dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit. Do të shkojnë vetëm në zgjedhje apo do ti bashkohen koalicionit me LSDM-në. Nga BDI për KOHA thonë se në vazhdë janë hulumtimet dhe analizat në kuadër të partisë dhe se do të propozojnë kandidatë që do të jenë të pranueshëm për votuesin shqiptar. “Në momentin në të cilin po flasim, gjitha emrat që po spekulohen, janë të pasakta. Për momentin, vetëm z.Ali Ahmeti është i sigurt si bartës i listës në Njësinë e gjashtë zgjedhor. U kemi kërkuar të gjitha degëve të BDI-së që të mbajnë mbledhje dhe në afat prej pesë ditësh, të sjellin listave nominime për kandidatë për deputetë, që më pas Kryesia dhe organet e partisë të shqyrtojnë të njëjtat. Kështu që, tani për tani, vetëm spekulime janë emrat që publikohen”, deklaroi Artan Grubi, sekretari organizativ i BDI-së.

Në kuluaret e politikës flitet edhe për “frontmenët” tjerë të BDI-së për bartës liste në njësitë tjera zgjedhore. Në kombinim, sipas kalkulimeve partiake janë doktori i njohur nga Kumanova, Ilir Hasani në njësinë zgjedhore numër dy, i cili pritet të pasohet nga deputeti i deritanishëm Ejup Alimi. Në njësinë tr, bartës pritet të jetë Bujar Osmani, në njësinë e parë zgjedhore, Izet Mexhiti, i pasuar nga kandidatë i propozuar nga dega Saraj, Karshiakë. Për këtë njësi zgjedhore në përmenden edhe Driton Kuçi e Burim Latifi. Në njësinë e pestë zgjedhore e cila pas nivelizimit të njësive zgjedhore mund të jap 4 deputet shqiptar, BDI pritet të garojë me bartës liste me një kuadër nga Struga, ndërsa sipas sondazheve partiake për bartës liste në këtë njësi zgjedhore qëndron mirë edhe Musa Xhaferi. Edhe për kundër këtyre zërave, nga BDI thanë për KOHA se sapo ka nisur përzgjedhja e emrave dhe po flitet në parti, por nuk ka emra konkret për bartës liste deri tani.

Koalicioni ASH-Alternativa tanimë është dakorduar se cila parti në cilën njësi zgjedhore do të ketë bartës të liste për deputet. Sipas marrëveshjes në njësinë e gjashtë zgjedhore, bartës liste do të jetë Ziadin Sela kryetar i ASH-së, në njësinë e dytë zgjedhore Afrim Gashi kryetar i Alternativës, i cili pritet të pasohet nga Omer Ajdini, kryetar i Forumit rinor të ASH-së ose Elmi Aziri. Siç njoftojnë nga partitë në fjalë, në njësinë e parë zgjedhore, bartës liste pritet të jetë Skënder Rexhepi Zejd nga Alternativa, i pasuar nga Zylfi Adili-Qufa nga ASH-ja dhe deputeti aktual i Alternativës, Rexhep Memedi. Në njësinë e pestë zgjedhore, aty ku Sela llogarit se është bastioni i tij, bartës liste pritet të jetë Syrija Rushidi, i pasuar nga Remzi Memedi dhe në numrin tre pritet të radhitet një kandidatë shqiptar nga Manastiri.

“Nuk e kemi biseduar çështjen e listës dhe të kandidatëve për deputet. Jemi fokusuar në prioritete tjera. Kryetari i partisë Ziadin Sela me bashkëpunëtorët e tij ka vizituar shumicën e nëndegëve dhe te degëve të ASH, duke bashkëbiseduar nga afër me aktivistët dhe qytetarët për gjendjen politike si dhe duke marrë ide për përpilimin e programit dhe ofertës sonë politike. Prioritet tjetër ka qenë krijimi i koalicioneve drejt maksimalizimit të votës shqiptare. Kjo u arrit me partinë Alternativa, me të cilën pas harmonizimeve për çështjen e programit të koalicionit të përbashkët, së shpejti do ta formalizojmë me marrëveshje konkrete. Ky koalicion do të forcohet më shumë me gjithë ata që e duan ndryshimin, organizata joqeveritare, profesorë universitar, studentë, punonjës te sektorit privat, publik etj”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së

Lidhur me listat e kandidatëve për deputet, Bexheti thotë se partia e tij kësaj radhe do të garojë si fituese e zgjedhjeve parlamentare. “Programi politik dhe lista e deputetëve do të jenë një garanci më shumë që shqiptarët ti besojnë koalicionit dhe kapaciteteve tona politike dhe kadrovike. Ky besim presim të reflektojë legjitimitet dhe përgjegjësi për të qeverisur në interes te verdiktit te votuesve, shtetit të së drejtës, zhvillimit ekonomik, dhe perspektivës euro-integruese. Qytetarët në përgjithësi, dhe në veçanti shqiptarët presin me padurim ndryshimin e vonuar dhe kjo urojmë të ndodh për të mirën e tyre”, thekson Bexheti. Ndërkohë Lëvizja BESA në cilin do opsion të garojë, e vetme apo në koalicion më LSDM-në, pozitën e bartësit të listës në njësinë e gjashtë zgjedhore do ta bartë kryetari i saj Bilall Kasami.

“Ende nuk kemi emra konkret. Organet e partisë i shqyrtojnë të gjitha mundësitë për paraqitja sa më dinjitoze të opozitës në këto zgjedhje. Kuvendi i partisë dhe kryesia qendrore në kohë do ti finalizojnë të gjitha proceduarat për pjesëmarrje në zgjedhje”, deklaroi për KOHA, Elemedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Edhe nga PDSH-ja thonë se të gjitha opsionet janë të hapura për garën e 12 prillit, por thonë se në Tetovë si bastion i tyre padyshim se kryetarin e partisë Menduh Thaçin do ta nominojnë për bartës liste. Po ashtu shtojnë se kanë kapacitet dhe kuadër të dëshmuar intelektual e kombëtar edhe për bartës të listave edhe për të gjitha njësitë tjera zgjedhore. Fushata zgjedhore, e cila zgjatë 20 ditë, sipas listës së afateve të KSHZ-së, do të fillojë më 23 mars, ndërsa do të përfundojë më 10 prill në mesnatë. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 21 Shkurt, 2020 18:16

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.