Shekerinska: Zgjedhje, sapo të krijohen kushtet

Desk
By Desk May 4, 2020 19:41

Shekerinska: Zgjedhje, sapo të krijohen kushtet

VMRO-DPMNE po frikësohet nga zgjedhjet pasi e ka parasysh rejtingun dhe politikat e tyre dështuese, vlerësojnë nga LSDM. Zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, thotë se sapo të përfundojë kriza me pandeminë duhet të mbahen zgjedhjet.

“Përgjegjësia kryesore është që shteti të sigurojë funksionim të plotë të institucioneve të saj dhe të përgatitet për valën e dytë të epidemisë. Prandaj qëndrimi ynë ishte që sapo të krijohen kushte, sapo epidemia të na japë mundësi t’i organizojmë zgjedhjet, ta bëjmë atë. Habitem që partitë politike të cilat flisnin shumë për zgjedhje, tani ikin nga zgjedhjet dhe çfarëdo paralajmërimi që të diskutojmë në këtë temë.”,- tha zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.

Mickovski: Zgjedhje, pasi t’i dimë pasojat në ekonomi

Por, kreu i VMRO-DPMNE-së thotë se zgjedhjet duhet të mbahen vetëm nëse krijohen kushte korrekte dhe demokratike, ndërsa deri atëherë prioritet janë qytetarët.

“Si do të dalim ne në ato zgjedhje kur nuk i dimë efektet e krizës ekonomike si rezultat i virusit Kovid-19. Me cilat projekte, me cilat programe ne do të dalim para qytetarëve, çka do t’u premtojmë? Për ata premtimi dhe fjala peshon sa bora e vitit të kaluar. Ne jemi parti politike që nëse premton atë edhe dëshiron ta realizojë. Ndërsa që të premtojmë patjetër të kemi numra të vërtetë me çfarë pasoja do të përballet ekonomia.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.

Po ashtu partitë janë në pritje edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth nismës nëse duhet të mblidhet kuvendi edhe pse është shpërbërë. Edhe LSDM ka iniciuar riaktivizimin e kuvendit, por kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se nuk mund të thërrasë seancë të kuvendit të shpërbërë. Edhe VMRO-DPMNE e ka kundërshtuar thirrjen e seancës kuvendore.

Desk
By Desk May 4, 2020 19:41