Shënon rritje numri i të infektuarve me Covid-19, mbetet i lartë edhe numri i vdekjeve

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Nëntor, 2021 21:01

Shënon rritje numri i të infektuarve me Covid-19, mbetet i lartë edhe numri i vdekjeve

Për 3,7% janë shtuar rastet pozitive me kovid-19 apo 2.804 raste më shumë në krahasim me javën e kaluar. Respektivisht 10% e të testuarve për kovid rezultojnë pozitivë. Edhe numri i vdekjeve është në rritje. Janë paraqitur 71 raste të vdekjes në 20 qytete gjatë javës që lamë pas, më së shumti nga Shkupi 18. Numri më i lartë i të vdekurve apo mbi 80% i takojnë moshës mbi 60 vjeçe. Në mesin e pacientëve që dje ndërruan jetë ishte edhe 16 vjeçja pa pasur sëmundje të tjera kronike.

“Mbrëmë në Klinikën infektive ndërroi jetë 16 vjeçarja nga fshati Saraçinë i Tetovës. Pacientja ishte në gjendje të rëndë me pneumoni nga kovidi kur u soll me autoambulancë në Klinikë. Gjatë qëndrimit dy ditor 21-23 tetor në Spitalin e Tetovës është konstatuar që paraprakisht e ndjera është kuruar në kushte shtëpiake për 9 ditë. Pacientja nuk kishte sëmundje të tjera, por nuk ishte as e vaksinuar. Nga avancimi i kovidit në organet e frymëmarrjes, zemra e pacientes së re pushoi së rrahuri dje”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

I lartë mbetet edhe numri i re infektimeve respektivisht 5,6% . Në raportin javor të ISHP-së gjatë 25-31 tetorit numri më i lartë i të prekurve është shënuar në Shkup, ndërsa me incidenca më e lartë u shënua në Kavadar 304 raste në 100 mijë banorë.

“Përveç kryeqytetit raste të larta pozitive janë shënuar edhe në Kumanovë e Tetovë, kurse me mortalitet më të lartë radhiten Prilepi, Ohri dhe Kavadari. Vdekshmëria më së tepërmi ka avancuar në Strugë me 6,4% dhe Krushevë me 6%”, thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.

2,205 pacientë janë shëruar gjatë javës së kaluar. Sipas këtij raporti momentalisht të hospitalizuar janë 476 pacientë në vend, prej tyre 248 në oksigjeno terapi dhe 8 ventilim mekanik.

Autoritetet shëndetësore janë në përpjeke që këtë valë të re ta minimizojnë përmes rritjes së vaksinimit. Sipas tyre, gjatë dy ditëve të fundit janë dhënë 9,009 vaksina, prej tyre 1.873 me dozën e parë, 1.580 të rivaksinuar dhe 5.536 të tjerë kanë marr dozën e tretë. Deri më tani është imunizuar 37,5% e popullsisë./ Alsat

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Nëntor, 2021 21:01

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare