Shërohen 16 dibranë nga koronavirusi

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 7, 2020 18:33

Shërohen 16 dibranë nga koronavirusi

Në Komunën e Dibrës, 16 të sëmurë nga koronoavirusi tanimë janë shëruar tërësisht meqë kanë bërë edhe testin e dytë i cili ka dalë negativ. Këtë e theksoi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili kryeson edhe Shtabin komunal operativ. Sipas tij, nga 16 personat e shëruar, 13 janë shëruar në Klinikën e Shkupit, kurse tre kanë qenë në izolimin shtëpiak.

Në komunë, numri i testeve që janë bërë në total është 265, nga të cilët siç dihet – 49 kanë dalë pozitiv dhe katër nga ata kanë ndërruar jetë. Po sipas Dukës, aktualisht në shërim shtëpiak janë 29 persona, të cilët presin ta bëjnë testin e dytë, kurse në izolim shtëpiak janë edhe 70 persona, mes tjerëve edhe persona që janë vetizoluar.

Duka sot apeloi tek dibranët që tërësisht të respektojnë masat më e reja të Qeverisë, sipas të cilëve – ora policore nga e mërkura fillon nga ora 16 dhe përfundon në ora 05 ditën e nesërme. Ai kërkoi nga banorët e komunës që të mos enden gjatë ditës në grupe, kurse sa i takon furnizimit me artikuj ushqimor, ai theksoi se rrjeti tregtar është shumë mirë i furnizuar. Ai porositi qytetarët të blejnë me porosi nga marketet, të cilët kanë personel i cili artikujt ua sjell deri tek banesat e porositësve.

Nga nesër, në Dibër fillon përsëri për herë të dytë dezinfektimi total i rrugëve, rrugicave, banesave kolektive dhe institucioneve. Këtë aktivitet do ta realizoj ndërmarrja komunale “Standardi”, tha Duka dhe shtoi se larja dhe dezinfektimi do të bëhet me preparate të standardeve europiane, të cilët përdoren për dezinfektim.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 7, 2020 18:33