Shiu dhe era dëmtuan veprën që kushtoi 20 mijë euro në “Manifesta”

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 22:43

Shiu dhe era dëmtuan veprën që kushtoi 20 mijë euro në “Manifesta”

“Nën diell – Shpjego çka ndodhi” ishte titulluar vepra e artistes Flaka Haliti në “Manifesta 14”, që është hapur së fundi në Prishtinë dhe po kësaj vepre organizatorët i kishin lënë një pozicion pothuajse kryesor, pasi edhe hapja e “Manifesta 14” ishte bërë pikërisht nën hijen e veprës së Flaka Halitit, shkruan KultPlus.

Por vepra “Nën diell-Shpjego çka ndodhi” nuk është më pjesë e veprave të vendosura në kuadër të “Manifesta 14” dhe sipas burimeve të KultPlus, kjo vepër tashmë është dëmtuar si pasojë e reshjeve dhe bubullimave që ndodhën gjatë javës së shkuar në Prishtinë.

Mirëpo se vepra “Nën diell – Shpjego çka ndodhi” e Flaka Halitit ka rënë në tokë dhe se është dëmtuar, nuk është konfirmuar edhe nga udhëheqësit e “Manifesta 14”.

Udhëheqësit e këtij manifestimi kanë thënë për KultPlus se vepra është larguar nga ekipi teknik i festivalit, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, shi e bubullimë, dhe sipas drejtoreshës Hedwik Fijen, bashkë me ekipin teknik e kanë larguar veprën para se të ndodhte diçka serioze.

Dhe si duket vepra me titullin “Nën diell – Shpjego çka ndodhi”, kërkon ‘shpjegime’ edhe më tej për këtë vepër të Flaka Halitit, pasi që sipas drejtoreshës Fijen, kjo vepër, përpos kostos fillestare për realizimin e kësaj vepre, tashmë ka edhe koston shtesë për rivendosjen e saj në vendin paraprak. Fijen ka thënë për KultPlus se vepra e Flaka Halitit ka kushtuar rreth 20 mijë euro, kurse për kostot e riinstalimit të veprës ende nuk dihen në këtë fazë.

“Puna e Flaka Halitit do të riinstalohet në ditët në vijim, varësisht prej teknikës”, ka thënë Fije.

Dhe duke iu referuar përvojës me veprën e Flaka Halitit, KultPlus ka pyet drejtoreshën Fije se nëse kanë marr masa edhe për veprat e tjera, pasi që shumica prej tyre janë në hapësirë, ajo është shprehur se të gjitha punimet tashmë janë kontrolluar nga inxhinierët dhe janë parashikuar masa shtesë.

Kurse përshkrimi i “Manifesta 14” për veprën e Flaka Halitit është në këtë format:

Nëse keni parë ndonjëherë diellin të perëndojë në qiellin e përndezur ose gacat e përflakura të luftës, horizonti i mistershëm i Flaka Halitit do të bëjë që fyti t’ju shtrëngohet pak. /KultPlus.com

Image
Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Gusht, 2022 22:43