Shkaktoi krizë diplomatike, lirohet anija cisternë iraniane
Anija cisternë iraniane, sekuestrimi i të cilës shkaktoi një krizë të fortë diplomatike mes Britanisë së Madhe dhe Iranit, është liruar nga autoritetet e gadishullit të Gjibraltarit, ku mbahej e ndaluar. Me këtë vendim, autoritetet kanë shpërfillur një kërkesë të palës amerikane, që anija të mos lirohej.
Anija-cisternë iraniane e ndaluar në Gjibraltar do të lirohet. Kështu ka vendosur gjykata e lartë e gadishullit, pavarësisht një përpjekjeje të minutës së fundit të Shteteve të Bashkuara që një gjë e tillë të mos ndodhte.
Vendimi i gjykatës ka ardhur pasi Gjibraltari mori garanci zyrtare me shkrim nga Irani se anija nuk do ta çojë ngarkesën e saj në Siri, një lëvizje kjo e ndaluar në bazë të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Republikës Islamike. Anija- cisternë “Grejs 1”, që mban në bord naftë iraniane, u ndalua me 4 korrik nga një grup komandosh britanikë, një operacion ky që rriti tensionet mes Teheranit dhe Londrës.
Vetëm pak javë pas sekuestrimit të saj, marina iraniane konfiskoi një mjet analog me flamur britanik në Gjirin Persik dhe pavarësisht mohimeve në nivel zyrtar ka patur spekulime se ajo do të shkëmbehej me “Grejs 1” nëse kjo e fundit do të lirohej.
Bllokimi i anijes shkaktoi një krizë të fortë diplomatike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit, në një kohë kur ky i fundit ishte në prag konflikti me Shtetet e Bashkuara. Javën e kaluar qeveria britanike njoftoi se do të bëhet pjesë e taks forcës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur ushtarakisht anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Thuajse një e pesta e naftës që konsumohet nëpër botë kalon përmes kësaj ngushtice, që ndodhet në bregun jugor të Iranit./ABC News Albania 24/7
Burimi: http://abcnews.al/