Shkollat me probleme të shumta, Carovska “zhduket”

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 20:11

Shkollat me probleme të shumta, Carovska “zhduket”

Përfundimi i zgjedhjeve lokale zhdukën aktivitetet e Ministrisë së Arsimit, përkundër shumë problemeve në këtë dikaster. Tashmë disa ditë në opinion nuk është shfaqur as ministrja e arsimit Milla Carovska. Alsat drejtoi pyetje në këtë dikaster se pse Carovska nuk paraqitet në pres konferenca dhe ngjarje dhe nëse kjo ka të bëjë me gjendjen e krijuar politike? Morëm përgjigje të shkurtër se Carovska po kryen të gjitha aktivitetet ditore, takimet dhe ngjarjet të parashikuara paraprakisht. Nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës vlerësojnë se pavarësisht situatës së krijuar, ministri duhet të jetë prezent para opinionit.

“Si ministër duhet të jetë prezent në opinion, deri në momentin e fundit duhet të punoj në interes të qytetarëve sepse qytetarët me prurjen në pushtet të partisë së saj i kanë dhënë mandat të punoj për interesin e qytetarëve. Shpresoj që kjo krizë politike të tejkalohet shpejt dhe punët do të vijnë në vendin e tyre, sigurisht në interes të qytetarëve”- deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Nedellkov tha se qëndrimet dhe kërkesat e SASHK-ut mbeten të njëjta, kushdo që do të drejtor me dikasterin e Arsimit.

“Qëndrimi ynë është I pandryshueshëm pa dallim të asaj se kush është në pushtet, kush është në pozitën ministër ose cili opsion politik është në pushtet, do të kisha thënë është e pa rëndësishme për ne si sindikatë sepse çështjet tona janë të hapura për cilindo. Kemi kërkesa për përmirësimin e infrastrukturës së objekteve duke përfshirë edhe rikonstruimin e tualeteve, krijimin e kushteve normale në shkollë, sigurimin e rrjetit të internetit që sot e kërkon mënyra e procesit mësimor”- pohoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Sindikata e Arsimit kërkon pagën e 13 për të punësuarit në arsim, pagesë shtesë për shpenzimet e rrugës për ata që bëjnë me shumë kilometra si dhe rritjen e pagave të punësuarve në arsim./ Alsat

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 20:11