Të pakënaqur nga njoftimet për shkrirjen e disa lëndëve mësimore, të cilat mund të shkaktojnë humbje të vendeve të punës, si dhe për shkak të pagave të ulëta në arsim, mësimdhënësit do të shprehin revoltën e tyre nesër përmes një proteste. Pikërisht në mesditë ata do të paralargohen nga Parku i Gruas dhe do të kalojnë në godinën e ministrisë së Arsimit. Në këtë mënyrë, siç thonë nga Sindikata e Pavarur për Arsim dhe Shkencë, do të ngrenë zërin sepse besojnë se u është shkelur e drejta e punës, është cenuar dinjiteti dhe integriteti i tyre, përcjell FLAKA.
“Jemi të pakënaqur me njoftimet për bashkimin e disa lëndëve mësimore (Gjeografi, Histori, Kimi, Fizikë, Biologji, Edukatë Qytetare, Etikë, Informatikë, Edukim Teknik). Një dukuri e tillë mund të shkaktojë humbjen e një pjese të vendeve të punës dhe në të njëjtën kohë cenon integritetin profesional të punëtorëve”, tha Tomisllav Gievski, kryetar i Sinidkates se Pavarur.
Nga Sindikata e Pavarur theksojnë se protesta e nesërme është vetëm paralajmërim dhe do të paralajmërojnë hapa më radikalë, sepse për momentin paga më e ulët në arsim është 12.000 denarë.
“Jemi dëshmitarë se paga minimale në vend është 20.175 denarë (NET). Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka vesh e as vullnet për të respektuar ligjet, dhe paralelisht me gjithë këtë, jemi dëshmitarë sesi zyrtarët publikë zbatuan SHPREHIM vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe morën rritje 78%. Për zyrtarët publik ligji është ligj dhe duhet respektuar, por për mësimdhënësit nuk vlejnë të njëjtat rregulla”, thotë Gievski.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës pohon se praktikojnë dialogun social, se arsimtarët e arsimit fillor dhe të mesëm në vitet e kaluara janë rritur me përqindje të konsiderueshme dhe se kanë respektuar dhe përmbushur plotësisht dispozitat e marrëveshjes kolektive.
Në lidhje me integrimin e lëndëve, Ministria e Arsimit thotë se bëhet fjalë për Konceptin e ri në Arsim të miratuar në vitin 2021, i cili duhet të ketë efekt pozitiv dhe nuk parashikon heqjen e përmbajtjeve dhe asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë.
“Numri i orëve është identik si më parë, dhe ajo që po prezantojmë me programet e reja është qasja e re, e bazuar në të mësuarit eksperimental, në lidhjen e asaj që mësohet me realitetin, të mësuarit përmes eksperimenteve, zhvillimin e një mendimi kritik. Si mbështetje për mësimdhënësit dhe nxënësit nga viti i ardhshëm shkollor në realizimin e programeve janë edhe kabinete të reja të shkencave natyrore, të pajisura nga Ministria e Arsimit me mbështetjen e Bankës Botërore”, thonë nga MASH. FLAKA