Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Peleshi është pritur nga ministrja Radmilla Shekerinska ndërsa me homologun shqiptarë ka biseduar për avancimin e bashkëpunimit bilateral në mbrojtje, për rolin e të dyja vendeve anëtare të Aleancës në thellimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, si dhe për avancimin e mbrojtjes kolektive në kuadër të Aleancës.
“Dy ministrat janë pajtuar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si vende aleate në NATO, përballen me potencial dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e bashkëpunimit. Në këtë frymë, ministrat ranë dakord se duhet të inicohet një Marrëveshje e re dhe gjithëpërfshirëse e bashkëpunimit dypalësh, e cila do të mundësonte bashkëpunim edhe më intensiv dhe më të ngushtë në mbrojtje” thuhet në njoftimin për media nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas njoftimit Shekerinska dhe Peleshi kanë diskutuar edhe për integrimin e dy vendeve në BE duke theksuar nevojën për hapjen sa më të shpejtë të negociatave si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë.
Ndërkohë marrëdhëniet dypalëshe, me fokus bashkëpunimin dhe aleancën në kuadër të Aleancës Veriatlantike, kanë qenë tema kryesore e takimit edhe mes ministrit të Jashtëm Bujar Osmani dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi kumton MPJ.
“Të dy ministrat vlerësuan se bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet dy vendeve, përfshirë edhe në kuadër të konsolidimit të agjendës euroatlantike, është me interes të përbashkët strategjik dhe në interes të rajonit në tërësi”, thuhet në njoftim për media.
Delegacioni shqiptar është pritur edhe edhe nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski./ Tvm2