Shkurti do të jetë i ngarkuar për PSG-në, testet ndaj Bayernit dhe Marseillet

Redaksia
By Redaksia 24 Janar, 2023 20:36

Shkurti do të jetë i ngarkuar për PSG-në, testet ndaj Bayernit dhe Marseillet

Për skuadrën e Paris Saint-Germainit muaji shkurt do të jetë shumë i ngarkuar.

Muaji i ardhshëm do të jetë i mbushur me një seri ndeshjesh të mëdha për PSG-në dhe ka të ngjarë të vendosë ritmin për pjesën tjetër të edicionit të kampionit në fuqi të Francës.

Por PSG-së nuk do t’i vijë keq ta shohë sa më parë fundin e janarit. Ekipi ka pasur vështirësi që nga fillimi i vitit, me dy humbje në tri ndeshjet e fundit të ligës. Edhe pse triumfi i thellë, 7:0, ndaj ekipit amator Pays de Cassel në Kupën e Francës të hënën rriti moralin, skuadra e trajnerit Christophe Galtier nuk është në formën më të mirë përpara një periudhe të ngarkuar. PSG-ja do të luajë shtatë ndeshje në shkurt, duke përfshirë teste të mëdha kundër Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve dhe rivalit të hidhur, Marseille, për trofetë vendës.

“Ka gjëra që ne duhet t’i rregullojmë”, tha Galtier, pasi epërsia e PSG-së në krye të ligës ndaj Lensit të vendit të dytë u zvogëlua në tri pikë.

Në dy humbjet në ligë kundër Lensit dhe Rennesit, mungesa e frymëzimit dhe ritmit ishte shqetësuese për një skuadër ambicia e së cilës është ende të fitojë për herë të parë Ligën e Kampionëve, garën më të mirë evropian për klube.

“Kur je PSG, po, ka një urgjencë”, tha Galtier. “Ne duhet të gjejmë lojën tonë, të kemi shumë më shumë energji, shumë më shumë ritëm dhe shumë më shumë intensitet”.

Ndeshjet e PSG-së në muajin shkurt fillojnë në Montpellier përpara se skuadra ta presë Toulousen. Gjërat pritet të bëhen më të vështira me një udhëtim në “Stade Velodrome” të Marseillet në 1/8 e finales të Kupës së Francës, në atë që është ndeshja më e madhe në futbollin francez. Më pas do të jetë një tjetër ndeshje jashtë Parisit në Monaco që zë vendin e katërt, përpara se Bayerni të udhëtojë në kryeqytetin francez për ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Championsit, më 14 shkurt. Pas kësaj, PSG-ja do ta presë Lillen dhe do të udhëtojë sërish drejt Marseillet të vendit të tretë në ligë.

“Kalendari është i tillë, për fat të keq”, tha Galtier. “Me grumbullimin e ndeshjeve ne duhet të jemi të kujdesshëm me menaxhimin e lojtarëve”.

Ka shqetësime rreth formës së sulmuesit Neymar, i cili po duket një hije e lojtarit të frymëzuar dhe të pamëshirshëm që ishte në pjesën e parë të sezonit, përpara se të dëmtonte kyçin e djathtë në Kupën e Botës në Katar. Fotografia nuk është më e bukur në mbrojtje, pasi Presnel Kimpembe nuk është rikuperuar ende nga një dëmtim i nyjës së këmbës, ndërsa mbrojtësi i djathtë, Nordi Mukiele, është jashtë shkaku i një problemi në kofshë. Ai pritet të mungojë për javë të tëra. Lajmi i mirë është se Kylian Mbappe mbetet i pandalshëm. Pas një kupe botërore mahnitëse, sulmuesi francez u bë lojtari i parë i PSG-së që shënoi pesë gola në një ndeshje zyrtare. Këtë e arriti kundër Pays de Cassel, duke e çuar numrin e përgjithshëm të golave me klubin në 196. Shifra është vetëm katër gola më pak se rekordi i Edinson Cavanit.

Sa i përket formës aktuale të rivalëve të ardhshëm të PSG-së, lideri i Bundesligës, Bayerni, sapo ka rifilluar sezonin pas një pushimi dimëror dymujor dhe bëri shumë gabime në barazimin 1:1 në udhëtim te Leipzigu. Marseille është në formë mahnitëse dhe ka zgjatur serinë e fitoreve në tetë në të gjitha garat, duke barazuar rekordin e klubit fundjavën e kaluar.

“Ne nuk e dimë se sa larg mund të shkojmë, por ne po synojmë sa më lart që të jetë e mundur”, tha mesfushori i Marseillet, Valentin Rongier.

Marseille për herën e fundit e ka fituar Kupën e Francës në vitin 1989. Në total, Marseille ka triumfuar dhjetë herë në këtë garë.

Redaksia
By Redaksia 24 Janar, 2023 20:36