Shndërrimi i nxehtësisë së trupit në energji

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 18 Shtator, 2018 22:56

Shndërrimi i nxehtësisë së trupit në energji

Numri i pajisjeve teknologjike që përdorin sensorët si mjete për të parë ecurinë mjekësore të një personi – është në rritje. Të gjitha këto pajisje kanë nevojë për një ngarkesë elektrike apo një burim baterish për të operuar. Një numër studiuesish po përpiqen të eleminojnë bateritë nga këto pajisje.

Në Universitetin A & M të Teksasit në Station College, studiuesit po kërkojnë mënyra për të përdorur nxehtësinë e trupit tonë për të furnizuar me energji të gjithë këta sensorë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee i hedh një vështrim teknologjisë së re.

Mund të mos jetë e dukshme, por llambat dhe njerëzit kanë diçka të përbashkët …

“Një njeri i zakonshëm është si një llambë drite 80 vatëshe”, thotë Jamie Grunlan, profesor i inxhinierisë mekanike.

Konvertimi i nxehtësisë së trupit në energji të dobishme është ajo që po përpiqet të arrijë në laboratorin e tij profesori Jamie Grunlan. Ideja është që të krijohet një material i printueshëm, termoelektrik, që mund të përdorë nxehtësinë e trupit për të ngarkuar pajisjet si sensorët që ndjekin ecurinë e shëndetit. Kjo mund të ndihmojë atletët dhe personelin në ushtri.

“Do të dish nëse dikush pësoi një goditje në kokë apo është i dehidratuar apo diçka e ngjashme si kjo, ndërsa po ndodh, në kohë reale. Nuk do të mbash një aparat me një bateri të madhe në trup, sepse nëse bie, mund të dëmtosh veten me të, dhe ky është një problem. Ajo që duhet është të përdorim nxehtësinë e trupit si bateri”, thotë zoti Grunlan.

Kur një person gjeneron nxehtësi, temperatura jashtë është zakonisht më e ftohtë dhe është ndryshimi i temperaturës që mund të gjenerojë energji. Grunlan thotë se çelësi është një pëlhurë e veçantë e veshur me teknologji termoelektrike.

“Ne mbulojmë cdo fibër të këtij tekstili me teknologji termoelektrike. Duhet që tekstili të prekë burimin e nxehtësisë ose të jetë mjaft pranë burimit të nxehtësisë që të ndjejë nxehtësinë”, thotë zoti Grunlan.

Sa më shumë nxehtësi të gjenerojë një person, aq më i madh ndryshimi i temperaturës që krijon energjinë.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një pajisje që mund të arrijë përtej efikasitetit prej 10%, domethënë nëse po krijoj 80 vatë, dua që pajisja të marr tetë vatë”, thotë zoti Grunlan.

Me synimin e arritjes së efikasitetit prej 10 për qind ose një volt, hulumtuesit përdorin minituba karboni, polimeri dhe një nanogrimcë të karbonit të quajtur grafenë për të përsosur materialin e tyre. Diçka që është më e lehtë për t’u thënë se sa për t’u bërë.

“Një volt është një synim realist, por sa material duhet për të marrë atë një volt pasi kemi nevojë për sa më pak të jetë e mundur? // Pra duhet të krijojmë saktësisht rrugën më të mirë për elektronet në materialin termoelektrik”, thotë Carolyn Long, studente në Universitetin Texas A&M.

Synimi përfundimtar është krijimi i një produkti që mund të prodhohet me shumicë.

“Nuk është pyetja në se do të ndodhë, por kur do të ndodhë. A jemi një apo pesë vite larg?” thotë zoti Grunlan.

Grunlan thotë se përgjigjja varet nga financimi dhe fuqia që do të gjenerojnë hulumtimet e tyre novatore./VoA

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 18 Shtator, 2018 22:56