Shqipëri, 3 vjet reforma në drejtësi, vetingu vazhdon

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 22, 2019 20:33

Shqipëri, 3 vjet reforma në drejtësi, vetingu vazhdon

Tre vjet më parë, me votë unanime Kuvendi i Shqipërisë miratoi reformën në drejtësi.

Në një aktivitet me këtë rast, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi se zbatimi i saj është i panegociueshëm, ndërsa ai që drejtoi reformën, Fatmir Xhafaj, thotë se reforma në drejtësi është një sfidë mes dy botëve, drejtësisë dhe padrejtësisë.

“Reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Por, ritheksoj se as reforma në drejtësi, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të sistemit nuk janë qëllim në vetvete. Sfida e vërtetë e reformës është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit”,- tha kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

“Ne po ngremë mbi një bazament të ri jo thjesht një institucion, por një pushtet të tërë tërësisht të ri që ngrihet paralelisht me funksionimin e pushtetit të vjetër e të korruptuar, bllokues e pengues”,- theksoi ish-kryesuesi i reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj.

Këtë përvjetor e ka komentuar edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili thotë se reforma u miratua falë këmbënguljes së tij 3 vjet më parë. Kryeministri, Edi Rama, tha se mjafton që të shohësh e të dëgjosh armiqtë e reformës, për të kuptuar se sa e drejtë dhe jetike është ajo për Shqipërinë. Në këto tre vjet, dhjetëra gjyqtarë e prokurorë janë shkatërruar nga procesi i vetingut si të korruptuar, ndërsa ende nuk është ngritur prokuroria e posaçme anti-korrupsion si dhe nuk është zgjedhur prokurori i përgjithshëm, ngërçe këto të kritikuara fort nga opozita.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 22, 2019 20:33