Shqipëri, një i vdekur dhe 9 të shëruar nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Desk
By Desk April 28, 2020 20:18

Shqipëri, një i vdekur dhe 9 të shëruar nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Shkon në 750 numri i të prekurve në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 14 raste të reja të të infektuarve ndërsa listës së të shëruarve i janë shtuar edhe nëntë persona tjerë duke çuar numrin e të shëruarve në 431. Në mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga Kruja.

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S. B i cili ka qëndruar për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjarëve. Shkon në 30 numri i qytetarëve që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor – deklaroi Albana Fico, Instituti i Shëndetit Publik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në faqen e saj në Facebook, ka ndarë lajmin e mirë se 1 mjeke dhe 2 infermiere janë shëruar nga koronavirusi.

Gati 90% e stafit mjekësor i prekur nga #COVID19 janë tashmë plotësisht të shëruar. Në total deri tani janë shëruar 53 personel shëndetësor -ka shkruar Manastirliu.

Në veriun e Kosovës janë shënuar edhe dy viktima nga koronavirusi. Njëri nga Leposaviqi dhe një viktimë nga Komuna e Zubin Potokut. Që të dy viktimat kishin edhe sëmundje tjera kronike. Deri sot në këto komuna nga koronavirusi janë të prekur 96 persona, janë shëruar 47 persona, dhe janë shënuar 8 viktima. Ministri i shëndetësisë Arben Vitia tha se 35 pacientë janë shëruar nga koronavirusi. Në Kosovë, gjithsej 780 persona janë infektuar me koronavirus, 201 janë shëruar dhe 22 kanë humbur jetën.

Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq ka njoftuar se vendi i tij po hyn në fazën e fundit të luftës kundër koronavirusit dhe se më 18 maj vendi do të kthehet në normalitet. Ai tha se Qeveria po përgatit vetëm një paketë serioze për industrinë e turizmit me bankat dhe Fondin e Investimeve dhe Zhvillimit, për të cilin ai tha se do të synojë të ruajë investimet në turizëm duke siguruar likuiditetin e ekonomisë së turizmit, në mënyrë që të jetë gati për të filluar sezonin.

Desk
By Desk April 28, 2020 20:18