Shqipëri, opozita bashkon forcat kundër Qeverisë “Rama”

Desk
By Desk 23 Prill, 2019 19:53

Në Shqipëri në ditën kur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u mbyll afati për regjistrimin e partive që do të jenë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, tetë parti të opozitës firmosën marrëveshjen ku angazhohen për mos pjesëmarrje në proces. Në marrëveshje nënvizohet se partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. E për këtë rruga e vetme shihet formimi i një qeverie tranzitore me mandat të posaçëm. Në marrëveshje theksohet se nuk do të lejohen zgjedhje farsë të organizuar nga qeveria e Edi Ramës. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas firmosjes së marrëveshjes tha se kjo do t’i japë Shqipërisë të ardhmen evropiane që meriton. Sipas tij angazhimi i parë i koalicionit evropian është dhënia fund e krimit elektoral.

“Marrëveshja opozitare nuk është thjesht konfirmim i mazhorancës së re morale e politike, nuk qëndron vetëm përgjegjësia e fitores së zgjedhjeve, por një mision kombëtar për t’i dhënë fund tranzicionit për të diktuar standardin evropian dhe shtetin e së drejtës dhe në funksion të kësaj akti i parë do të jetë formësimi i platformës për zgjedhje të lira, të ndershme reformimi i sistemit politik dhe ndarja e krizës politike, jo për të pasuruar një grusht oligarkësh, por për të sjellë punësim, siguri për shqiptarët”, tha Lulzim Basha, PD.

Pas firmosjes së marrëveshjes së opozitës për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri kryeministri shqiptar Edi Rama në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve është një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike.

“Pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike! Humbësit kronikë janë peng i dëshpërimit të tyre, po Shqipërinë s’e marrin dot peng. Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen. Në 30 qershor qytetarët do flasin me votë në çdo bashki”, shkruan Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Në zgjedhjet e qershorit, Shqipëria do të ketë një parti opozitare më shumë, Bindja Demokratike. Kjo e fundi dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pjesëmarrje si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Desk
By Desk 23 Prill, 2019 19:53