Shqipëri, tensione në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit

Shqipëri, tensione në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit

Mbledhja e 4 e Komitetit për Rindërtim, nuk ka kaluar e qetë. Kryeministri, Edi Rama, tha se ndërtimi do të nisë më parë në Laç, Thumanë e Shijak dhe kërkoi durim nga qytetarët, duke premtuar se do të rindërtohen të gjitha banesat e dëmtuara.

“Modelet që ne kemi projektuar kanë të gjitha parametrat e nevojshëm dhe na jep mundësinë që të kemi një sasi të madhe dhe një përfitim të përbashkët që të bëjmë më shumë shtëpi. Të mos i bëjmë gjërat shpejt sot dhe pastaj njerëzit të paguajnë kosto.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Por, OJQ-të dhe ata që po menaxhojnë fondet jashtëqeveritare të ndihmave, alarmojnë se qeveria ende nuk ka hequr TVSH-në e paratë po shkojnë për tatime në vend të ndërtohen më shumë shtëpi. Qeveria thotë se procedurat ligjore duan kohë.

“U deklarua që do të hiqej TVSH-ja për materialet e ndërtimit, por në fakt rezulton që sot ajo akoma nuk është hequr dhe ne kemi këtë problem madhor, duke pasur parasysh që për të paktën 3 javë ne do të dorëzojmë shtëpitë e para dhe i bie që në katër shtëpi shteti të mbajë një vetëm me TVSH-në.”,- tha gazetari, Marin Mema.

“Ka pasur procesin e vet bërja e VKM dhe e udhëzimit dhe nesër në qeveri kemi përfundimisht kalimin e VKM ku e trajton në detaje me shumë transparencë të gjithë procesin e TVSH-së për të mos pasur asnjë konfuzion dhe asnjë devijim. Ligji ka kaluar.”,- u shpreh ministri i shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe la mijëra persona të pastrehë. Në bazë të vlerësimeve të thelluara rezulton se në Shqipëri janë 115 pallate dhe 1523 banesa individuale për t’u shembur.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 12 Shkurt, 2020 19:55

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.