Shqiptarët dhe serbët shpëtojnë turizmin malazez

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 21:51

Shqiptarët dhe serbët shpëtojnë turizmin malazez

Më pak turistë nga Rusia dhe Kina, por edhe nga shumica e vendeve evropiane

Mali i Zi ka shënuar deri tani një rënie prej 13 për qind më pak turistë se në vitin 2019. Për momentin vetëm 60% e akomodimit është plotësuar me turistë në Budva. Në kushtet kur nuk kanë ardhur turistë nga Rusia, Ukraina, Bjellorusia  e Polonia rënia drastike është parandaluar nga rritja e numrit të mysafirëve nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, por edhe nga Izraeli e SHBA-të.

Kryetarja e Shoqatës së Ofruesve të Akomodimit Privat, Branka Džoganović pretendon se çmimet e akomodimit janë në nivelin e vitit 2019 dhe më të ulëta. Ajo thekson se çmimet nuk janë problem malazez.

“Mendoj se Mali i Zi nuk është një destinacion i shtrenjtë. Në fund të fundit, është destinacion i turizmit masiv, jo i turizmit elitar. Mali i Zi do të duhet të ndryshojë disa gjëra. Ka pak investime në zonën e ngushtë bregdetare, si dhe mbindërtim në Budva”. 

Mali i Zi është shumë i ekspozuar ndaj tregjeve ruse dhe ukrainase, më shumë se sa duhet. Turistët ankohen më shumë për parkimin, zhurmën dhe grumbullimin e plehrave.

Në muajin Korrik në Malin e Zi pushuan 128 mijë turistë, ndërsa në të njëjtin muaj tre vite më parë ishin 146 mijë, që do të thotë se ka një rënie të numrit të turistëve me rreth 13 për qind. 

Numri i netëqëndrimeve ka rënë për 20 për qind, gjë që ka ndikuar nga rënia e numrit të turistëve, por edhe qëndrimi më i shkurtër i turistëve të huaj, ne krahasim me tre vjet më parë.

Klan News

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 21:51