Shuarja e profesor Alajdin Demiri, kujtime nga bashkëveprimtarët

Redaksia
By Redaksia 13 Prill, 2019 13:48

Shuarja e profesor Alajdin Demiri, kujtime nga bashkëveprimtarët

Pas një sëmundje sot në moshën 65 vjeçare ka ndërruar jetë Alajdin Demiri, diplomat, analist politik dhe profesor universitar. Demiri në vitin 1997-1998 ishte kryetar i komunës së Tetovës.

Si pjesë e aktit të vendosjes së flamurit kombëtar para komunës së Tetovës, për të cilin akt ishte dënuar me burg, bashkë me kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmanin.

Alajdin Demiri i lindur më 19 dhjetor 1954 në Tetovë, nga 1973 deri në 1977 ka studiuar sociologjinë në Sarajevë. Nga viti 1977 deri më 1978 ka punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Maqedonisë – redaksia në gjuhën shqipe.

Prej vitit 1978-1983 dhe 1983-1988 ka qenë profesor i sociologjisë dhe filozofisë në një shkollë të mesme në Tetovë dhe më pas ka punuar në bibliotekën e qytetit. Prej viteve 1990-1995, ai ka studiuar frëngjisht në Lausanne, Zvicër, duke u kthyer në 1995 më vonë dhe duke u përfshirë në skenën politike në kuadër të PPD-së.

Në vitin 1997 ai ishte zgjedhur kryetar i komunës së Tetovës, ndërsa në vitin 1998 ai ishte dënuar me dy vjet burg për vendosjen e flamurit kombëtar para komunës së Tetovës, ngjarje e njohur që kishte ndodhur paralelisht me komunën e Gostivarit, që kishte përfunduar me dhunë brutale të policisë së asaj kohe, që ka shkaktuar viktima dhe të arrestuar.

Parlamenti Evropian kishte kërkuar lirimin e tij dhe ai ishte liruar sipas një Ligji mbi Amnistinë. Më pas, në periudhën e fundviteve të 90-ta, ai ishte emërohet ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zvicër.

Pas kthimit të tij, ai ishte angazhuar si profesor universitar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Që nga 2014 profesor Demiri ka qenë anëtar i Aleancës për Shqiptarët në kryesinë qëndrore, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për etablimin e partisë në nivel nacional.

Por vdekja e tij, ka nxitur ngushëllime të shumta nga intelektualë të ndryshëm.

Ja si e kujton, profesor Vebi Bexheti: 

Të nderuar miq, shokë, vëllezër e motra, një cingërimë jo e zakonshme telefoni e mëngjesit të sotëm ma solli lajmin pikëllues për ndarjen nga jeta të Alajdin Demirit, njeriut që tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, intelektualit që kurrë nuk u zhagit per toke por që eci gjithmonë vertikalisht dhe kryelartë duke i përballuar të gjitha stuhitë që jeta ia solli përpara. Ai u bëri ballë të gjitha sfidave që deshën ta mposhtin, por ishte i pandalshëm, rebel i vërtetë , që nuke pranonte humbjen, duke e synuar lirinë e vërtetë, atë liri që do vinte një ditë.
Miq e vëllezër, ikja e tij e parakohshme me plot plane për zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare, na ka prekur thellë të gjithve, duke na lënë të jetojmë me kujtimet për te dhe veprimtarinë e vërtetë të kauzës sonë. Me te, edhe në burg jetohej mirë, edhe kur liria për jetë mungonte, ai e krijonte ate duke folur e analizuar fenomenet që lidheshin me fatin historik tonin.Ai ishte një luftëtarë i pakompromis, që kurrë nuk e pranonte humbjen; edhe atëherë kur diferencojej e përzihej nga puna, edhe atëherë kur si Kryetar Komune e mbronte Flamurin, edhe atëherë kur ishte në debate televizive në mes hijenash albanofobë, duke i mposhtur poltikisht, sepse ai kishte guxim, njohuri dhe gjente argumente të pakapëcyeshme lehtë për të gjithë ata që donin të na shihnin të mjerë dhe të shtrirë për toke.

I dashur shoku im, Alajdin, gjithmonë kur shkruaja, doja që të m’i lexosh shkrimet, që mëpastaj t’i komentonim bashkë, ndërsa këtë të sotmin e shkruaj për ty, për ta lexuar të tjerët, që ndoshta do preken emocionalisht, por besoj se edhe do mburren njëkohësisht me veprën tënde aftdhetare, që për to do mbetet amaneti i fundit.

Lamtumirë shoku im i betejave të pëbashkëta, njeriu i papërkulur e gjithmonë luftarak, po e mbyll këtë shkrim më këto vargje të Azem Shkrelit:
Asnjë kokë ulur se ia rrëzoni lisat,
As një lot, se ia shterrni krojet,
I lumi ky, ç’farë vdekje!

 

Redaksia
By Redaksia 13 Prill, 2019 13:48