Shumë zjarre në rajonin e Pollogut

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 9 Shkurt, 2024 19:24

Shumë zjarre në rajonin e Pollogut

Komandanti i Njësitit Territorial Kundër Zjarrit, Avni Ameti thotë se gjatë ditëve që lam pas ka pasur shumë zjarre aktiv edhe në hapësirën e parkut kombëtar të Malit Sharr, por që së bashku me renxherët e parkut kanë arritur që t’i lokalizojnë dhe t’i shuajnë këto zjarre

Javën që po e lëmë pas në pothuajse tërë rajonin e Pollogut dhe në rajonin e Malit Sharr janë hasur zjarre të shumta. Në Malin Sharr dy zjarre vështirë janë vënë nën kontroll pasi që kanë qenë në terren të papërshtatshëm dhe ka pasur erë të fuqishme. Drejtori i parkut nacional Mali Sharr, Ibrahim Dehari thotë se gjatë javës që lam pas kanë luftuar me shumë zjarre në ambient të hapur. Dehari thotë se renxherët gjatë gjithë kohës kanë qëndruar në Malin Sharr për të shuar zjarret pasi që disa herë është paraqitur edhe rrezik pasi që zjarri është ofruar tek vendbanimet dhe shtëpitë.

“Në 7 ditët në vazhdim, apelojmë deri te të gjithë qytetarët për vigjilencë të shtuar dhe mobilitet për shkak të kushteve klimatike të papërshtatshme dhe shpresojmë që këtë apel do ta marrin dhe shpërndajnë më tepër mediume për të përhapur informacionin në publik.Me qëllim për t’u parandaluar pasojat e papëlqyeshme ju rikujtojmë se në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr është e ndaluar të ndizet zjarr në hapësira të hapura, mos të hidhen shishe plastike dhe xhami, mos të bëhet ndezja e mbeturinave dhe materialeve tjera që përhapin zjarr dhe mos të hedhen filtera dhe bishta cigaresh”, thotë Ibrahim Dehari.

Në komunë të Tetovës nuk ka rrezik për përhapje të zjarreve edhe pse ka zjarre aktive, sidomos në zonën e Bervenicës dhe në malin Sharr. Komandanti i Njësitit Territorial Kundër Zjarrit, Avni Ameti thotë se gjatë ditëve që lamë pas ka pasur shumë zjarre aktiv edhe në hapësirën e parkut kombëtar të Malit Sharr, por që së bashku me renxherët e parkut kanë arritur që t’i lokalizojnë dhe t’i shuajnë këto zjarre. “Në të këtë periudhë vërehen zjarre anembanë rajonit të Pollogut, sidomos në zonën e Bërvenicës, Zhelinës dhe Parkut Kombëtar. Bujqit në këtë kohë pastrojnë pronat e tyre bujqësore dhe djegin mbeturinat kështu që edhe kemi shumë zjarre, prandaj apelojnë për kujdes sepse në rast të paraqitjes së erës së fuqishme këta zjarre mund të përhapen dhe më pas nuk mund të kontrollohen”, thotë komandanti i Njësitit Territorial Kundër Zjarrit, Avni Ameti.

Ditëve të kaluara është raportuar edhe për dy zjarre në hapësirë ​​të hapur, një mbi fshatin Dobërdoll, komuna e Vrapçishtit dhe mbi fshatin Korita në pjesën e Forinës, komuna e Gostivarit. Fillimisht zjarri në afërsi të Dobërdoll ka qenë në arë, por gjatë djegies ka dalë jashtë kontrollit dhe vendi ka qenë i vështirë i aksesueshëm për shkak të kufijve të zonës me rrugë dhe lumë. Qasje e vështirë për zjarrfikësit ka edhe zjarri mbi fshatin Koritë. Kujtojmë se në ditët e fundit janë regjistruar dhjetëra zjarre në ambiente të jashtme. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 9 Shkurt, 2024 19:24

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare