Sot votohet për mocionin e votëbesimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Pak para fillimit të seancës parlamentare, të gjitha partitë pretendojnë se i kanë numrat për rrëzim respektivisht mbetjen e qeverisë aktuale, njofton Flaka. Sipas kontatimit të shërbimeve në Parlament, të pranishëm në fillimin e seancës janë vetëm 60 deputetë.
Vetëm sa ka filluar seanca e Kuvendit për votimin e besimit të Qeverisë, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka kërkuar 10 minuta pauzë. Në sallë janë prezent 60 deputetë të opozitës. Mungon Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA. Nga opozita theksojnë se telefonat e Rexhepit janë të shkyçur, ndërkohë që nuk është as në banesën e tij.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me partnerët e koalicionit në Qeveri është shprehur optimist se Qeveria nuk do të bjerë në votëbesimin në Kuvend, gjegjësisht se shumica është me forcat progresive në parlament”. Kështu u shpreh edhe lideri i LSDM, Zoran Zaev.
Edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka siguruar se votat për rrëzimin e Qeverisë janë siguruar.
“Mendo se po, sot janë votat për rrëzimin e Qeverisë dhe përfundimisht mendoj se do të lirohen qytetarët”, tha Sela para se të hyjë në Kuvend.
Sa kaq, sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA Arjanit Hoxha në deklarimin e fundit në opinion u shpreh që në seancën e mosbesimit deputetët e Besës do të votojnë për rrëzimin e qeverisë, duke u shprehur që do të rrëzohet qeveria dhe se BDl shkon në opozitë.
Kryertari i PDSH-së dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Menduh Thaçi, tha se: “Mendoj se sot nuk do të bie Qeveria. Sipas informacioneve që i kam, Qeveria do të mbetet dhe ne do të marrim datë për negociatat me BE-në”.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë thënë se votëbesimi do të mbështetet më shumë se 61 deputetë.
Interpelanca është dorëzuar nga partitë opozitare, së bashku me Lëvizjen Besa, ndërsa edhe përkundër paralajmërimeve se është arritur shumicë për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Zaevit, mbetet e paqartë se si do të rrjedh votimi.