Siguria pas mosmarrjes së datës, Markovski: Situata stabile, por s’duhet nënçmuar

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 24, 2019 19:10

Siguria pas mosmarrjes së datës, Markovski: Situata stabile, por s’duhet nënçmuar

Mosmarrja e datës për nisjen e bisedimeve me BE-në nuk pritet të rrezikojë sigurinë e vendit.

Kryetari i Forumit Ballkanik të Sigurisë, Bllagoja Markovski, vlerëson se problemet e sigurisë mund të jenë vetëm raste të izoluara të tensionimeve dhe përplasjeve individuale fizike. Megjithatë, sipas tij, situata duhet të ndiqet me kujdes.

“Në ndonjë pjesë të caktuar të vendit mund të ndodhin probleme mikro – lokale të sigurisë. Ato mund të iniciohen pas dëshpërimit të ndonjë personi, pasi nuk nisën bisedimet për anëtarësim në BE. Shikuar nga ky këndvështrim, që të gjithë duhet të ndjekim situatën me kujdes”,- tha kryetari i Forumit Ballkanik të Sigurisë, Bllagoja Markovski.

Anëtarësimi në NATO, Gocevski: Krijohet pasiguri deri në përmbyllje

Nga Këshilli Nacional i Sigurisë vlerësojnë se edhe vetë procesi deri në anëtarësim të plotë në NATO krijon një pasiguri. Anëtari i Këshillit Nacional të Sigurisë, Trajan Gocevski, konsideron se sikurse brenda shtetit, por dhe jashtë, ekzistojnë euroskeptikë të cilët nuk dëshirojnë anëtarësimin e vendit në Aleancën e Veriut.

“Rreziqet mund të jenë joklasike, duke vepruar nëpërmjet shërbimeve të ndryshme, mediave sociale, sulmeve kibernetike e të tjera. Organet tona po ndjekin situatën dhe të shpresojmë se nuk do të biem preh e ndonjë destabilizimi”,- theksoi anëtari i Këshillit Nacional të Sigurisë, Trajan Gocevski.

Ekspertët gjithashtu nuk nënçmojnë parakushtet për krizë politike pas mosdakordimeve për Ligjin për Prokurori, pas skandalit të “Zhvatjes”, vlerësimi i Komisionit të Venecias, regjistrimi i popullsisë, si dhe kërkesat bullgare, pasi analizat flasin se qytetarët e vendit në vend të Greqisë, tanimë Bullgarinë e konsiderojnë si kundërshtare. Komentet e tilla u bënë në debatin me titull “Periudha para nesh – kohë e sfidave të sigurisë”, të organizuar nga ekspertët e sigurisë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 24, 2019 19:10