Sistemi shëndetësor në vështirësi

Desk
By Desk November 7, 2020 19:58

Sistemi shëndetësor në vështirësi

Qytetarët ankohen se për të kryer testet e virusit korona duhet të pritet prej tre deri në katër ditë si dhe hospitalizomi në spitalet e vendet bëhet me vështirësi nga shkaku i numrit të madh të qytetarëve që janë të shtruar në spital dhe kapaciteteve të vogla të spitaleve tona.

Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut është duke u përballur me krizën dhe kolapsin më të madh shëndetësor që nga pavarësia e saj e këndej. Për momentin raste aktive në vend me virusin korona ka afër 12.000, ndërsa gjithsej deri tani të sëmur janë rreth 35.000 persona. Ndërkohë pacientë të shtruar në spital, sipas njoftimeve zyrtare, deri tani ka rreth 700 veta, derisa 234 janë me asistencë të oksigjenit dhe 14 prej tyre janë të vendosur në respirator.  Në javën e fundit u regjistruan më shumë se 5.000 persona të ri të infektuar me virusin korona. Ky numër ka bërë që të ketë ngritje për 70 për qind të të infektuarve të rinj. Numri më i madh prej tyre vazhdon të jetë nga Shkupi. Në anën tjetër, sipas eksperteve, numri i të infektuarve në ditët dhe javët në vazhdim pritet që të rritet edhe më shumë si dhe sistemi shëndetësor do të jetë në rrezik më të madh të pësoj ndonjë kolaps më të madh. Qytetarët ankohen se për të kryer testet e virusit korona duhet të pritet prej tre deri në katër ditë si dhe hospitalizimi në spitalet bëhet me vështirësi nga shkaku i numrit të madh të qytetarëve që janë të shtruar në spital dhe kapaciteteve të vogla.

Fjolla Pozhegu, nga Shkupi për gazetën KOHA, është shprehur se ajo ka pritur deri katër ditë vetëm për ta kryer testin PCR i cili shërben për ta detektuar virusin korona dhe pasi ka rezultuar pozitiv, trajtimi i saj ka vazhduar në shtëpi. “Kryesisht dy javët në izolim i kam kaluar pa simptoma të mëdha dhe jam kuruar në shtëpi sipas rekomandimeve të mjekëve. Nuk kam pasur nevojë që të shkoj në spital”, shprehet ajo. Nga ana tjetër, pacientja tjetër Makfirete Abdiji, nga Tetova është kuruar në Spitalin e përgjithshëm në Tetovë. Ajo për gazetën KOHA, është shprehur se me 18 tetor ka marrë rezultatet e testimit të virusit korona ku dhe ka rezultuar pozitiv. Sipas saj, pas marrjes së rezultateve në konsultim me mjekun amë, kurimin e ka vazhduar në shtëpi, por pas disa ditëve me përkeqësimin e gjendjes së saj, i është rekomanduar që të shtrihet në spital dhe kurimin ta vazhdoj në kushtet spitalore.

“Nga mungesa e vendeve të lira në spital, unë jam dërguar në dhomën e barnave te spitali Tetovës. Ditët në spital kanë qenë shumë të vështira si për shëndetin fizik ashtu edhe për atë mental. Të jesh e shtrirë në spital dhe të jesh gjatë gjithë kohës nën presionin e frikës se nuk do të mund t’ia dalësh deri nesër ndikon tepër keq në gjendjen shpirtërore të njeriut”, shprehet Makfiretja. Ajo ka shtuar se ta pranosh dhe të pajtohesh me efektet anësore të virusit korona, sa është e vështirë një njërën anë emocionalisht dhe fizikisht është po aq e lehtë në anën tjetër që ta sfidojmë këtë sëmundje. Në fund, ajo ka thënë se dëshminë ta falënderon të gjithë stafin që u angazhuan për t’i shëruar të infektuarit me virusin korona. Ndryshe, mjekë të ndryshëm kanë deklaruar se ka mbingarkesë të pacienteve të shtruar në spitale dhe tani janë duke shfrytëzuar dhe reparte të tjera për nevojat e pacienteve të virusit korona. Sipas tyre, gati në çdo qytet të vendit ka mbingarkesë të pacienteve, sepse një numër i madh kanë nevojë të shtrihen në spital deri sa ka edhe prej atyre që dëshirojnë vetvetiu të shtrihen në spital sepse mendojnë që janë më të sigurt dhe do kalojnë më lehtë. (koha.mk)

Desk
By Desk November 7, 2020 19:58