Sistemi zgjedhor, Basha: Të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve

Desk
By Desk March 6, 2020 20:07

Sistemi zgjedhor, Basha: Të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha propozoi sot një reformë radikale të sistemit zgjedhor, ndërsa kërkoi “që 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë”.

Në një takim me të rinj dhe intelektualë, Basha prezantoi platformën për reformimin e sistemit, në mënyrë që sistemi zgjedhor të mos jetë vendim i partive politike, por i popullit.

“Kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur. Tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë”, ishin disa prej propozimeve të Bashës.

Po ashtu ai kërkoi “identifikim, votim dhe numërim elektronik”. “Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Vendimi për sistemin zgjedhor duhet t’u takojë të gjithë qytetarëve, jo vetëm partive politike. Po ashtu të ngrihet një Senat për llogaridhënien e qeverisë, ku 40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma”, tha Basha.

Basha solli shembujt e vendeve më të zhvilluara me Senat: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia vende me parlament me dy dhoma.

Ai kërkoi po ashtu që sistemi zgjedhor të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve, në mënyrë që pushteti të mos përqendrohet në një dorë.

Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, Basha kërkoi që “100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë”.

“Reforma Zgjedhore është hapi i parë për t’i dhënë fund korrupsionit, për një ekonomi më të fortë dhe anëtarësim në BE”, tha ai. /ATSh

Desk
By Desk March 6, 2020 20:07