Skandali me Xhamajkën, kjo deputetet kërkon shkarkimin e Glauk Konjufcës

Skandali me Xhamajkën, kjo deputetet kërkon shkarkimin e Glauk Konjufcës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e mosnjohjes nga Xhamajka, duke thënë se këto dy parti po fshihen pas të tjerëve për dështime.

Thotë se në një situatë të ngjashme, por para ardhjes në pushtet, VV-ja e LDK-ja do të thoshin “çfarë kuptimi ka shkarkimi i ambasadores, nëse fillimisht nuk jep dorëheqje Ministri i Jashtëm”.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ardhur në pushtet me premtimin se nën qeverisjen e tyre do të instalojnë logjikë llogaridhënëse. Mirëpo amaterizmi profesional i shprehur me çështjen Xhamajka flet ndryshe”, shkruan deputetja Kadaj-Bujupi.

Ajo përmes një postimi në Facebook, thotë se “prej mobilizimit të aparatit propagandues në rrjete sociale për marrjen e meritave se njohja erdhi si rezultat i qeverisë së re, kaluan tek shmangia e përgjegjësisë”.

“Çfarë kuptimi ka shkarkimi i ambasadores, nëse fillimisht nuk jep dorëheqje Ministri i Jashtëm, do të thoshin dikur VV dhe LDK para ardhjes në pushtet. Përgjegjësia e ambasadores nuk shkon vetëm. Rrahagjokësi për merita dhe fshehje pas të tjerëve për dështimet”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka thënë se për njohjen nga Xhamajka u informuan nga ambasadorja Vlora Çitaku. Por, paralajmëroi masa rreth çështjes së mosnjohjes nga ky shtet.

Por, i pari që dha lajmin për njohjen e Kosovës nga Xhamajka, ishte presidenti Hashim Thaçi, i cili kumtoi përmes Twitterit.

Publikimi i lajmit nga presidenti nxiti reagimin e autoriteteve xhamajkane.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 21 Shkurt, 2020 22:16

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.