Skena Mediatike Ruse: Përmbajtje të kontrolluara me pak hapësirë për mediat e huaja

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 26 Maj, 2022 23:58

Skena Mediatike Ruse: Përmbajtje të kontrolluara me pak hapësirë për mediat e huaja

Qytetarët në Rusi pranojnë përmbajtje të dozuara, në fuqi janë ligje cenzuruese të përforcuara me Ligjin e sapomiratuar të 4 marsit, me të cilin parashihet madje edhe dënim me burgim prej 10 deri në 15 vite për shpërndarje të vetëdijshme të lajmeve të rrejshme për ushtrinë ruse”. Televizionet më të mëdha ruse  Kanal 1″ dhe Rosia 1 janë të kontrolluara nga shteti, ndërsa televizioni i tretë më i madh NTV, është në pronësi të gjigantit energjetik shtetëror Gazprom”. Në Federatën Ruse punojnë më shumë se 3.000 radio stacione, ndërsa shteti është themelues i tre rrjeteve më të mëdha Radio Rosii”, Majak” dhe Vesti FM”. Në Rusi botohen mbi 16.000 gazeta të regjistruata, ndërsa vetëm 22 mund të blihen nëpër të gjithë shtetin. Njëjtë si tek televizionet, edhe te gazetat ato më të njohurat kanë politikë redaktuese proqeveritare.

Shkruan: Vesna Kollovska

Videoanketa me qytetarët e qyteteve ruse Perm dhe Vlladivostok tregoi se përqindja më e madhe e të anketuarve nuk e dinë dhe nuk besojnë se ushtria ruse ka hyrë në Ukrainë.

Askush nuk e bombardon Kievin. Unë nuk e besoj këtë“, u përgjigj një nga qytetarët në rrugë, kur u pyet nga një gazetare, e cila si dëshmi i tregon edhe fotografi nga bombardimet në Ukrainë. Madje një person më i moshuar tha se nuk beson që ka luftë.

Putini nuk e bën këtë gjë. Ta okupojë Ukrainën?! Përse? Atje jetojnë njerëz tanë – edhe në Ukrainë edhe në Bjellorusi.

Por kjo ka ndodhur” – i thotë gazetari në video.

Nuk e di. Këtë nuk e thonë në lajme, u përgjigj personi.

Kjo video është ilustrimi më i mirë i gjendjes së mediave në Rusi, të kontrolluara fuqishëm nga ana e qeverisë ruse. Qytetarët marrin përmbajtje të dozuara, ndërsa në fuqi janë ligje cenzuruese, të përforcuara me Ligjin e sapomiratuar të 4 marsit, me të cilin parashihet madje edhe dënim me burgim prej 10 deri në 15 vite ,,për shpërndarje të vetëdijshme të lajmeve të rrejshme për ushtrinë ruse”. Sipas „Reporterëve pa kufij”, televizioni edhe më tej mbetet media të cilës rusët i besojnë më së shumti, ndërsa pikërisht kanalet televizive pjesa më e madhe janë shtetërore ose janë në pronësi të kompanive të afërta me Kremlinin.

Media nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kremlinit

Televizionet më të mëdha ruse – „Kanal 1″ dhe „Rosia 1” janë të kontrulluara nga shteti, ndërsa televizioni i tretë më i madh NTV, është në pronësi të gjigantit energjetik shtetëror „Gazprom”.

Këto janë kanalet vendore dominuese, ndërsa në plan ndërkombëtar, TV kryesor rus Perjanica është televizion satelitor në gjuhën angleze „Russia Today” (RT), i cili është i financuar nga buxheti federal. Është i themeluar në vitin 2005. „Russia Today”, përveç gjuhës angleze, emiton edhe në arabisht, spanjisht dhe frengjisht.

Në Federatën Ruse operojnë më shumë se 3.000 radio stacione. Shteti është themelues i tre rrjeteve më të mëdha „Radio Rosii”, „Majak” dhe „Vesti FM”. Ka numër të madh të radio stacioneve komerciale, të cilat kryesisht janë stacione muzikore.

Në Rusi botohen mbi 16.000 gazeta të regjistruata, ndërsa vetëm 22 mund të blihen nëpër të gjithë shtetin.  Njëjtë si tek televizionet, edhe te gazetat ato më të njohurat kanë politikë redaktuese proqeveritare, ndërsa disa gazeta ditore më me ndikim janë në pronësi të kompanive të lidhura ngushtë me Kremlinin.

Mediat në Rusi

Televizionet

Rossiya 1 – rrjet kombëtar, i menaxhuar nga kompania ruse e radiodifuzionit (VGTRK)

Kanal 1 –  rrjet kombëtar, 51 përqind në pronësi të shtetit, 49 përqind në pronësi të aksionarëve privatë

NТV – rrjet kombëtar, në pronësi të gjigantit shtetëror Gazprom”.

Cеntar TV – në pronësi të administratës komunale të Moskës

Rеn TV –   stacion komercial me seli në Moskë me rrjet të fuqishëm rajonal, në pronësi dominante të Holdingut mediatik NMG  

RT –  Kanal satelitor ndërkombëtar i financuar nga shteti në gjuhën angleze

Radio

Radio Rosii –  rrjet kombëtar i menaxhuar nga kompania radiodifuzive shtetërore (VGTRK)

Vesti FM – pronësi shtetërore

Jehona e Moskës – pronësi dominante e Gazpromit” shtetëror

Мајаk – rrjet shtetëror kombëtar

Ruskoe radio – rrjet i madh privat, radio muzikore

Shtypi

Komsomolskaja Pravda – tabloid proqeveritar

Komersant – revistë ditore, e orientuar kah biznesi, e kontrolluar nga tajkuni Alisher Usmanov, i afërt me Putinin

Moskovski Komsomolec – revistë ditore e njohur në pronësi private

Izvestija – revistë ditore e njohur Pro-Kremlinit, në pronësi të Holdingut mediatik NMG 

Rosiskaja Gazeta – gazetë ditore në pronësi të shtetit

Nezavisimaja Gazeta – gazetë ditore me ndikim në pronësi private

Argumenti i Fakti – e përjavshme e njohur, në pronësi të Promsvjazbank

Novaja Gazeta – botohet tre herë në javë, e njohur për gazetarinë e saj investigative

RBC – gazetë ditore biznesi

Vedomosti –  gazetë ditore financiare

 

Agjensi lajmesh/ internet

TASS – agjensi shtetërore e lajmeve, me përkthim në gjuhën angleze

Interfaks – agjensi private e lajmeve, me përkthim në gjuhën angleze

Lenta.ru – burim i njohur i lajmeve online

Moskva Times – ueb faqe lajmesh në gjuhën angleze, trashëgimtare e gezetës tashmë joegzistuese

Rambler.ru – internet portali kryesor

Sputnik – platforma multimediale shtetërore për bashkëpunim ndërkombëtar me shërbim në më shumë gjuhë

Yandex.ru – kërkuesi më i madh

VKontakte – rrjeti social më i madh

 

Raskomnadzor – dora kryesore cenzuruese e qeverisë

Rusia në listën e lirisë së mediave të „Reporterëve pa kufij” në vitin 2021 u gjend në vendin e 150-të nga 180. Kontrolli mbi mediat dhe internetin nga ana e shtetit bëhet nëpërmjet të Raskomnadzorit-it, trup federal ekzekutiv me detyrë që të sigurojë që mediat t’i ndjekin ligjet ruse dhe të lëshojë paralajmërime në rast te shkeljes së këtyre ligjeve. Roskomnadzor, gjithashtu mund ta kufizojë trafikun e faqes nëpër mediat sociale, që është obligim i tij ligjor. Qeveria ruse në dhjetor të vitit 2020 miratoi një Ligj për rritjen e dënimeve për platformat online dhe providerët e internetit, ndërsa i dha autorizim që të kufizojë ose të bllokojë plotësisht ueb faqe të caktuara.

Ky cenzurues i fuqishëm shtetëror e tërhoqi lejen e servisit gjerman ,,Deutsche Welle”, ndërsa këtë media e vendosi në grupin e agjentëve të huaj. Kjo lëvizje ishte si përgjigje ndaj tërheqjes së lejes së „RT-së” për transmetim në Gjermani dhe nëpër platformat e internetit. Bashkimi Evropian i ndaloi ,,Sputnikun” dhe „RT”-në në tokën evropiane, ndërsa përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Zhozep Borel, vlerësoi se:

Ato nuk janë media të pavarura, por armë në sistemin e manipulimit të Kremlinit.

Si kundërpërgjigje, u zmadhua lista me „agjentë të huaj”, në të cilën ndodhen më shumë se 100 organizata dhe individë të huaj dhe të vendit, e përgatitur nga ana e Ministrisë ruse të drejtësisë. Ligji është prej vitit 2012 dhe atëherë u referohej organizatave joqeveritare që i merrnin mjetet nga jashtë. Mbulimi i tij u zgjerua në vitin 2019 edhe për individë dhe organizata që merrin çfarëdo lloj shume të mjeteve të huaja dhe publikojnë raporte dhe materiale „të shtypura, audio, audio vizuale e të tjera“.

Edhe në vitin 2014 u miratua një Ligj me të cilin kufizohet edhe liria e mediave online. „Ligji Llugovoj“ – i emërtuar pas njërit nga autorët, deputetit të Duma-s shtetërore, Andrej Llugovoj – lejon bllokim të faqeve të lajmeve pa urdhër gjykate, nëse këtë e kërkon prokuroria.

Para fillimit dhe me fillimin e invazionit mbi Ukrainën, më shumë media të huaja, që kishin redaksitë e tyre në Rusi dhe emitonin program në gjuhën ruse, u detyruan të tërhiqen dhe t’i kufizojnë publikimet e tyre.

Shpallja e fundit e serisë së shpalljeve për ndërprerje të punës është ajo e „Radio Europa e lirë”, (REL), e financuar nga Kongresi Amerikan, e cila njoftoi se e ndërpret punën e saj në Rusi, pasi autoritetet lokale tatimore filluan procedurë falimentimi kundër degës ruse në 4 mars. Kjo vijoi pasi Duma ruse miratoi Ligj me të cilin, çdo gazetar që është në kundërshtim me qëndrimin e Kremlinit për luftën në Ukrainë mund të përballet me dënim më 15 vjet burg.

Shpallja e REL-së është pjesë e serisë për mbyllje ose reduktim të punës së mediave të pavarura. Për vetëm pak ditë shumë media të vendit u mbyllën ose njoftuan që do të veprojnë në internet, ndërsa disa nga gazetarët vendosën që ta braktisin vendin. Midis tyre edhe redaktori i TV „Dozhd”, Tihon Xhjadko, i cili pasi u mbyll televizioni, u largua nga Rusia së bashku me kolegët e tij.

Pas bllokimit të ueb-faqes së Dozhd”, publikimeve të Dozhd” nëpër rrjetet sociale dhe kërcënimeve ndaj disa të punësuarve, u bë evidente se siguria personale e disave prej nesh është e cënuar, shkroi në Telegram, redaktori Xhjadko.

Mbyllja e TV „Dozhd” u bë menjëherë pas hyrjes së fuqi të Ligjit me dënimet e parapara drakonike.

Televizioni gjatë trasmetimit të edicionit të fundit  të lajmeve lëshoi një inçizim të baletit „Liqeni i mjellmave”, të Çajkovskit, si një përkujtim të tentativës për grusht shteti në vitin 1991 kundër qeverisë së liderit të atëhershëm sovjetik Mihaill Gorbaçov. Gjatë kohës që në terren po realizohej puçi, në televizionin shtetëror vazhdimisht transmetohej baleti, që ishte indikacion për shikuesit se diçka nuk është në rregull. TV „Dozhd” nga gushti i vitit 2021 u vendos në listën e „agjentëve të huaj” së bashku me kanalin e pavarur „Меduza“, me seli në Letoni, shumë i njohur edhe në Rusi. Në regjistrin e agjentëve të huaj ka media, gazetarë dhe aktivistë. Përkrah „Меduza-s“ dhe TV ,,Dozhd”-it, në këtë listë janë edhe publikimet investigative të ,,iStories” dhe ,,Insider”, „Radio Europa e Lirë”/„Radio Slloboda” (RSE/RL), veterani aktivist për të drejtat e njeriut Lev Ponomarev, bashkëthemelues i organizatës për të drejtat e njeriut „Memorijal“.

Radio „Jehona e Moskës“ njoftoi se e ka mbyllur radio kanalin dhe ueb faqen, ndërsa gazeta e pavarur ruse „Novaja gazeta”, e njohur për gazetari investigative në krye me nobelistin për paqe redaktorin Dmitrij Muratov, shpalli se do t’i tërheqë artikujt për luftën në Ukrainë, me arsyetim se cenzorët rusë kanë dhënë urdhër që të hiqen ato materiale. Raskomnadzor lëshoi njoftim me të cilin i informon mediat ruse se:

Janë të detyruar t’i përdorin vetëm informatat dhe të dhënat që i kanë marrë nga burimet zyrtare ruse.

Në njoftim gjithashtu paralajmerohet se media të paemërtuara shpërndajnë „informata të pakontrolluara dhe jo të besueshme“.

„BBC” servisi i të cilit gjithashtu është i kufizuar nga ana e qeverisë ruse, lajmëroi se pa marrë parasysh gjithçka, do të qëndrojë në terren dhe do të informojë për ngjarjet.

Qasja deri te informatat e sakta, të pavarura është e drejtë themelore e njeriut nga e cila nuk duhet të privohet populli në Rusi, prej të cilëve miliona mbështeten tek lajmet e BBC”-së çdo javë, shënoi shërbimi press i „BBC”-së, pak kohë pasi autoritetet ruse e kufizuan qasjen deri te ueb faqja e tyre.

Kufizimi, siç thotë shërbimi britanik, është kontraproduktiv. Vizitat javore të ueb faqes së BBC-së në gjuhën ruse, siç njofton kompania, janë rritur për më shume së tre fish në 10,7 milionë. Trafiku nga Rusia deri te faqja e BBC-së në gjuhën angleze është rritur për 252 përqind.

Prezenca mediatike ruse në Maqedoni

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka media të regjistruara ruse dhe shërbime të tyre, që emitojnë programin e tyre në gjuhën maqedonase. Ndikimi mediatik rus vjen nga edicioni serb i „Sputnik-ut“ , e cila është platformë multimediale shtetërore për bashkëpunim ndërkombëtar me shërbim në më shumë gjuhë, përfshirë këtu edhe gjuhën serbe. Një pjesë e mediave maqedonase, e posaçërisht disa nga shfrytëzuesit e rrjeteve sociale herë pas here transmetojnë përmbajtje nga „Sputniku” serb. Prezente është edhe ueb platforma ,, Russia Beyond“ , e cila është një edicion i ribrenduar i „Ruska Reç“, i cili publikohet në 14 gjuhë, ndër të cilat edhe në gjuhën maqedonase. Sipas sqarimit, kjo platformë është krijuar për shpërndarjen e kulurës ruse. Gjatë shfletimit të përmbajtjeve, thuajse çdo i dyti apo i treti artikull ka të bëjë me presidentin rus Vlladimir Putin, personazhin dhe veprën e tij, dhe ka përmbajtje edhe të qyteteve ruse dhe arritjeve ruse.

Vite me rradhë në tregun e Maqedonisë nëpërmjet shtëpisë së botimit „Color Media press“ botohen dy rrjete revistash, që kanë prejardhje nga Serbia. Botimet më të njohura janë „Ruski Doktor” dhe ,,Ruski Travar” të shtëpisë së botimeve „Novosti”, që shpërndahen edhe nëpërmjet eksportit direkt në Bosnje dhe Mal të zi dhe/ose nëpërmjet të botimeve të lokalizuara në Maqedoninë e Veriut, Kroaci dhe Slloveni në gjuhët lokale.

Agjencia e lajmeve „Meta” para dy vitesh publikoi një analizë në të cilën vlerësoi se „këto revista vazhdojnë t’i eksploatojnë komercialisht perceptimet pozitive për Rusinë dhe kulturën e saj, të cilët prej më parë ishin prezente tek një pjesë e popullatës së ballkanit, me çka në mënyrë plotësuese kontribuojnë që të forcohen pozitat propaganduese të regjimit të Putinit.

Për shembull, në numrin e fundit të janarit të botimit maqedonas së Ruski Doktor”, përmbajtje goditëse në kopertinë është shkrimi ekskluziv” për 10 sekretet e Putinit për shëndet“ me të cilin si sekrete” paraqiten ushqimi i rregullt, gjimnastika e mëngjesit, por edhe marrja me sporte si skijimi, hokeji, kalërimi dhe peshkimi, të cilat kryesisht janë jashtë mundësive financiare të publikut (pensionist) që targetohet, shkruan në  tekstin e Meta-s” të publikuar në janar të vitit 2020.

Në listën e gazetave dhe revistave të regjistruara të ASHAV-it (të azhurnuar më 21.02.2022), „Kolor Media plus” është e regjistruar si botues i „Dobra hrana” dhe „Ruski doktor”.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 26 Maj, 2022 23:58