Deputeti i pavarur Skender Rexhepi – Zejdi, sonte në orën 18:00 do të shpalosë emrin e partisë së tij të re. Me këtë rast ai organizon të ashtuquajturin Kongres popullor, ku përveç emrit do të shpalosë edhe Kuvendin qendror, transmeton Portalb.mk.
“Subjekti më i ri politik për synim do të ketë krijimin e konceptit të ri politik, të përkushtuar në ruajtjen e vlerave tona tradicionale familjare, si dhe afirmimin e vlerave bashkëkohore ekonomike, sociale, arsimore dhe kulturore”, thuhet në njoftim. Mundësinë për hapjen e një partie të re Rexhepi e paralajmëroi më 28 gusht, gjatë një interviste në SummerClick TV21.
„Ose duhet të largohem nga politika ose duhet të rrugëtoj politikisht disi”, deklaroi Rexhepi.
Ai tha se kjo vjen ngaqë udhëheqësia Alternativës nuk i dhanë mundësi ndryshimi në parti dhe se nuk e sheh veten si pjesë të asnjë subjekti tjetër aktiv në politikë.
Kjo do të jetë partia e tretë e re politike në kampin politik shqiptar pas partive të formuara nga Izet Mexhiti i dalë nga radhët e BDI-së dhe Arjanit Hoxhës, i dalë nga radhët e Lëvizjes Besa.