Sonte nis manifestimi tradicional “Tingujt e Çarshisë”

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 13 Shtator, 2020 12:21

Sonte nis manifestimi tradicional “Tingujt e Çarshisë”

Në bërthamën e vjetër të Qytetit, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit prej sonte e deri të enjten do të mbahet manifestimi tradicional “Tingujt e Çarshisë”, qëllimi i së cilës, tashmë disa vite, është që ta ringjallë Çarshinë përmes koncerteve të të gjitha zhanreve, performansave, paraqitjeve folklorike, poezive, kolonive të artit dhe prezantimit të zejeve të vjetra.

Manifestimi do të fillojë në ora 20:00 me koncert të këngëtares Altuna Sejdiu – Tuna në Kurshumli Han. Në program janë edhe dy koncerte nga ora 21:00 dhe nga ora 22:00.

“Tingujt e Çarshisë”, siç njoftojnë nga Qendra Kulturore Informative – Shkup, është një ngjarje multimediale dhe multikulturore, e cila mbahet për të 14-n herë këtë vit, me idenë për të kujtuar traditën e harruar, për të ringjallur disa zona jo të vizituara mjaftueshëm të Shkupit dhe për të kontribuar drejt emancipimit të mjediseve kulturore të pazhvilluara. Sipas tyre, kjo kontribuon në aktivitetet e vazhdueshme të Qytetit të Shkupit dhe Qendrës Kulturore-Informative – Shkup për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

“Si çdo vit, ky program do të jetë i pasur dhe i larmishëm. Do të ketë koloni arti, shfaqje teatrore, filma, stand-ap komedi, letërsi, koncerte të zhanreve të ndryshme të muzikës: folk, xhaz, rrok, opera, argëtim….. në sheshe, rrugët e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, Kalanë e Shkupit, në Kurshumli An, Suli An”, kumtoi QKI.

Manifestimi fillon të dielën, 13 shtator, në orën 20 të mbrëmjes me koncert të Tunës në Kurshumli an, pas së cilës nga ora 21 dhe 22 do të vijojnë edhe dy dy koncerte të tjera.

Të martën, 15 shtator, në orën 16 pasdite, manifestimi vazhdon me ngjarjen “Rrugët e Çarshisë” në kuadër të së cilës Saranda Ademi në flaut dhe Verica Shotarovska në piano do të mbajnë një koncert. Në orën 17 para Xhamisë Murat Pasha është parashikuar performancë e Adil Alush dhe “Jeni Jol Orkestra”. Në orën 19 në Sheshin Skenderbeu do të interpretohet shfaqja teatrale “Unë nuk paguaj”, ndërsa nga ora 20 në sheshin “Filipi i Dytë” do të mbahet koncert me titull “Tinguj vjeshte, ngjyra e tingullit”. Në orën 10.30, në Kalanë e Shkupit do të shfaqen dy filma të shkurtër: “Toka” me regji të Ibër Dearit dhe “Ballkoni” nga Lindita Zeqiraj.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 13 Shtator, 2020 12:21