Sotirova-Buhova: Nuk ka të privilegjuar për testime

Desk
By Desk April 30, 2020 20:23

Sotirova-Buhova: Nuk ka të privilegjuar për testime

Nuk ka të privilegjuar, të gjithë personat me vendime për izolim dhe trajtim shtëpiak nuk mund të lëvizin sipas dëshirës e as të testohen nga disa herë me vetiniciativë, deklaroi drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor, Irina Sotirova-Buhova, lidhur me shkeljet nga kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Ajo sqaroi se nuk mjafton që personi i prekur me virusin Korona të paraqitet në 192, por çdo lëvizje duhet ta bëjë në koordinim me mjekët amë dhe epidemiologët.

“Parashtrohet dilema çka nëse të gjithë 994 personat që janë pozitivë me gjendje të lehtë klinike apo asimptomatike e që janë izoluar me vendim të Inspektoratit Shëndetësor dhe Sanitar, çka do të ndodhte dhe çfarë rreziku do të ishim të gjithë ne nëse ata njerëz dalin me vetiniciativë dhe lëvizin jashtë protokollit. Pse dikush duhet të jetë i privilegjuar dhe ta shkelë algoritmin dhe protokollin dhe të testohet 2, 3, 4 e ndoshta edhe 6 herë, ndërsa dikush të jetë i detyruar ta respektojë protokollin.”,- tha drejtoresha e ISHSHS-së, Irina Sotirova-Buhova.

Dimitrievski: Padia, keqpërdorim klasik i pushtetit

Ajo njëherit theksoi se Inspektorati Shëndetësor nuk i inspekton komunat dhe nuk ka për obligim që atje të dërgojë procesverbale, por bën inspektimin e institucioneve shëndetësore, si në Qendrën e Shëndetit Publik në Kumanovë, Shtëpinë e Shëndetit – Kumanovë, Repartin e Urgjencës në Spitalin e Përgjithshëm – Kumanovë, Repartin Infektiv, ku edhe kanë lënë procesverbale që janë nënshkruar nga personi i pranishëm. Pa përmendur emra, drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor tha se për rastin në Kumanovë, përveç padisë penale, është ngritur edhe mbikëqyrje profesionale në Odën e Mjekëve. Nga Prokuroria kanë konfirmuar se padia penale kundër kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka arritur në Prokurorinë Themelore Publike – Kumanovë. Por, kreu i Kumanovës, Dimitrievski, e ka vlerësuar padinë si keqpërdorim të pushtetit.

“Keqpërdorim klasik i instrumenteve të pushtetit. Një procedurë legjitime me profesionistë të pavarur do ta dëshmojë të vërtetën. Jam mësuar të luftoj. Edhe më tej, me intensitet të njëjtë bashkë me bashkëmendimtarët do të vazhdojë betejën. Në të kaluarën kam luftuar regjimin. Mos vallë është në sipërfaqe diçka e ngjashme. Prioritet i imi në këto momente është lufta kundër epidemisë dhe shëndeti i qytetarëve. Drejtësia dhe e drejta fiton gjithmonë.”,- ka shkruar në profilin e tij në Facebook kreu i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. SPB – Kumanovë ka ngritur padi deri tek Prokuroria në bazë të nenit 206 nga Kodi Penal për “Mosveprim sipas procedurave shëndetësore gjatë kohës së pandemisë”.

Desk
By Desk April 30, 2020 20:23