Spasovki: Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi më i sigurt në Ballkanin Perëndimor
“Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi më i sigurt në Ballkanin Perëndimor dhe është në shoqërinë e 36 vendeve më të sigurta në botë. Këto janë të dhëna dhe analiza që bëhen nga organizatat relevante ndërkombëtare nga fusha e sigurisë”, tha në një intervistë për Frontline dhe CIVIL Media, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Duke folur për krimin kibernetik, Spasovski thotë se nëse i shikohen rezultatet e këtij viti do të shihet se ka një rënie prej 7.4 për qind të krimit kibernetik në krahasim me vitin e kaluar.
Për situatën aktuale politike në vend, ministri Spasovski thotë se askush nuk mund t’i kundërshtojë 80 për qind të qytetarëve që duan perspektivë evropiane.
“80 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dëshirojnë të jenë pjesë e familjes evropiane. Kush është ai që mund të kundërshtojë 80 për qind të qytetarëve? Kush është ai që dëshiron të shkatërrojë perspektivën e vendit? Prandaj mendoj që të gjitha subjektet politike dhe të gjithë politikanët përgjegjës duhet të punojnë për arritjen e një qëllimi të tillë dhe nuk ka arsyetime në shtet për përparimin tonë se dikush tjetër po na pengon në arritjen e qëllimeve tona, thekson ministri Spasovski.
Ai theksoi se LSDM është strumbullari i frontit pro-evropian dhe forca kryesore politike kur është fjala për bllokun pro-evropian.
“LSDM është një strumbullar në frontin evropian. Është forca kryesore politike në vend kur është fjala për bllokun pro-evropian dhe LSDM është ajo rreth së cilës do të mblidhet fronti evropian”, është i vendosur Spasovski.
Në intervistë ministri flet edhe për vrasjen e dyfishtë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe luftën kundër grupeve kriminale. Ai thekson se askush nuk është më i fuqishëm se shteti. Spasovski flet edhe për ndryshimet në Kodin Penal dhe për mundësinë që opozita VMRO-DPMNE të votojë ndryshimet kushtetuese. Flaka