Spasovski: Akuzat mes Ruskoskës dhe Muaremit ndikojnë negativisht në besimin në institucione

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 20:56

Spasovski: Akuzat mes Ruskoskës dhe Muaremit ndikojnë negativisht në besimin në institucione

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski konsideron se akuzat ndërmjet shefes së Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska dhe drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi ndikojnë negativisht në besimin në institucione.

“Kjo ndikon negativisht ndaj qytetarëve për shkak se humbet besimi në institucione dhe kushdo që mban ndonjë funksion, duhet të mbajë përgjegjësi – etike, morale… Nuk mund të lejohet të prishen institucionet nga kushdo  qoftë dhe për këtë duhet fuqishëm të qëndrojë secili për shkak të asaj se nëse humbet besimi në institucione, atëherë ai është problemi më i madh. Kështu që duhet të mendojmë pse institucionet, prokuroria, gjyqësori kanë tetë për qind besim. Nuk besoj se kjo është mënyra me të cilën do të rritet besimi”, deklaroi sonte Spasovski në emisionin “Verë e nxehtë politike” në Kanal 5.

Akuzat ndërmjet Ruskoskës dhe Muaremit zgjasin tashmë një periudhë të caktuar, ndërsa Ruskoska ju bëri thirrje institucioneve kompetente në shtet dhe institucionet ndërkombëtare dhe ambasadat “t’i kontrollojnë të gjitha faktet dhe të zbardhet se kush në këtë shtet lufton kundër krimit, ndërsa kush e bën krimin”. Reagimi i saj pasoi pasi drejtori i Policisë Financiare paralajmëroi se do të ngritë padi penale kundër saj dhe prokuroreve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska.

Nga Komisioni Evropian në një deklaratë për MIA-n porositën se me kujdes i ndjekin të gjitha ngjarjet me akuza të ndërsjella publike ndërmjet Ruskoskës dhe Muaremit dhe se këtë çështje duhet ta zgjidhin institucionet kompetente.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Gusht, 2022 20:56