Spasovski pret epilog pozitiv nga Samiti i Zagrebit

N.Z
By N.Z March 3, 2020 15:48

Spasovski pret epilog pozitiv nga Samiti i Zagrebit

Pas publikimit të raportit, kryeministri teknik Oliver Spasovski pret që Këshilli t’i jep vendit dritë jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim. Ai tha se askush më nuk mund ta kontestojë faktin se Maqedonia e Veriut është gati për t’i filluar bisedimet.

Është konstatuar e gjitha ajo që është bërë, janë dhënë notat më pozitive për Maqedoninë e Veriut. Është logjike të presim ta marrim atë që e meritojmë. Nëse të gjithë ne e më së shumti qytetarët ka 30 vjet që punojnë në tranzicion e në reforma dhe sot kur të gjitha shtetet anëtare të BE-së e pranojnë që Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që duhej, është normale të pres që qytetarët përfundimisht të marrin motiv më tepër dhe që t’i hapim negociatat me BE-në – deklaroi Oliver Spasovski, Kryeministër teknik.

Partia opozitare VMRO DPMNE thotë se vendi do të fillojë negociatat vetëm kur kjo parti të vijë në pushtet.

VMRO DPMNE është pro fillimit të negociatave të Republikës së Maqedonisë për të mirën e qytetarëve, por është fakt se BE-ja nuk dëshiron të bashkëpunojë me kriminelë. Do të gëzoheshim nëse merret datë, megjithatë data do të merret dhe progresi do të arrihet me Qeverinë e re të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja pas zgjedhjeve të 12 prillit – tha Naum Stoilkovski, VMRO DPMNE.

Pas publikimit të raportit, Ministri i Jashtëm gjerman, Haiko Mas tha se vendi i tij po angazhohet për fillim sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke paralajmëruar se mos-fillimi i negociatave do të ishte i dëmshëm si për dy shtetet ashtu edhe për BE-në dhe Gjermaninë. Pas raportit të djeshëm, duket se ka ndryshuar edhe qëndrimi i Francës, shtet i cili tetorin e kaluar pengoi hapjen e negociatave me dy shtetet. Sipas komunikatës së Qeverisë, ambasadori francez ne vend Kristijan Timonie në takim me Spasovskin ka thënë se Franca me optimizëm sheh raportin i cili bashkë me metodologjinë për zgjerim janë bazë inkurajuese për sjelljen e vendimit për fillim të negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Anesa Saliu

N.Z
By N.Z March 3, 2020 15:48