Sindikata e punëtorëve në administratën e organeve të drejtësisë dhe shoqatave të qytetarëve (SPOGJ) nuk e di se cili është propozimi i Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik, përcjell FLAKA.
“Qeveria fillimisht e pranoi propozimin e sindikatës, e më pas doli se ka dalë me propozimin e saj që rritjet të fillojnë nga marsi i vitit të ardhshëm”, tha Tërpe Deanoski, kryetar i SPOGJ-it në TV21.
Ai tha se ende nuk kanë një përgjigje se kur do të miratohet marrëveshja kolektive dhe se pagat e shumicës së të punësuarve në sektorin publik prej vitesh janë minimale.
“Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi na befasoi pozitivisht kur tha se pranojnë propozimin e sindikatës. Fatkeqësisht, rezulton se ai nuk e pranon. Nuk e di si e sheh Bytyqi që propozimi i qeverisë është i mirë. Qeveria thotë të nënshkruajë një marrëveshje për të marrë rritjen e parë nga marsi i vitit të ardhshëm dhe që kjo të mos ndodhë tani dhe menjëherë, por në një periudhë pesëvjeçare. Nuk e kuptova deklaratën të jem i sinqertë, nuk e kuptova si e bëri matematikën. Dhe kështu askush nuk do të ndjejë përfitim nëse ne nuk e zgjidhim problemin tani”, tha Deanoski.
Ai shtoi se nuk e kanë parë propozimin e qeverisë, edhe pse në mbledhjen e këshillit socio-ekonomik është rënë dakord që ministri i Financave Fatmir Besimi të bëjë një simulim të propozimit.
“Në sektorin publik nuk ka njerëz që janë të kënaqur me pagën”, tha Deanoski. FLAKA