Statusi i PPS-së, Zhbogar: Partitë parlamentare të gjejnë zgjidhje

Desk
By Desk 4 Prill, 2019 19:10

Statusi i PPS-së, Zhbogar: Partitë parlamentare të gjejnë zgjidhje

Partitë politike parlamentare duhet të gjejnë një mundësi që do t’i lejojë Prokurorisë Speciale të vazhdojë punën e saj dhe të krijohen kushte për të vazhduar rastet gjyqësore. Statusi i Speciales dhe dënimi i krimit dhe korrupsionit në nivele të larta mbeten një ndër kushtet e BE-së për fillimin e bisedimeve. Euroambasadori, Samuel Zhbogar, ftoi të gjitha partitë parlamentare, pushtet dhe opozitë, që të gjejnë zgjidhjen e duhur për Specialen.

“Me rëndësi është të kuptohet se Prokuroria Publike Speciale duhet të vazhdojë me punën e saj. Të krijohen kushte për të lejuar vazhdimin e rasteve gjyqësore. Shpresojmë dhe presim që të gjitha partitë parlamentare do të gjejnë një mundësi për t’i lejuar PPS-së që të vazhdojë punën e saj”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.

VMRO-DPMNE, edhe pse skeptike për arritjen e një zgjidhjeje kompromisi, mbetet në bisedime me pushtetin dhe kërkon pranimin e një pjese të amendamenteve të saj. Akuzon ministren e drejtësisë për mungesë kapacitetesh menaxhuese.

“Mbetemi në kuadër të grupeve të punës. Do të përpiqemi të ofrojmë zgjidhje të reja kreative. Kuptohet nëse ka ndjenjë minimale për përgjegjësi nga ana e Qeverisë, një pjesë të këtyre amendamenteve, pse jo dhe të gjitha, t’i pranojnë dhe t’i përfshijnë në propozim ligj. Të shkojmë në Parlament dhe ta votojmë, dhe Maqedonia të vazhdojë të ec përpara si shtet juridik ku sundon ligji. Kështu siç është propozimi, ai ka një qëllim dhe ai është vazhdimi i përndjekjes politike”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Mirëpo, Ministria e Drejtësisë konsideron se kusht për fillimin e negociatave nuk është miratimi i një ligji çfarëdo për Prokurorinë Publike, por ligj që do të mundësojë drejtësi dhe dënim të krimit në vendin tonë. Ministria e Drejtësisë akuzon Mickovskin se po merr udhëzime nga Gruevski dhe se amendamentet e tyre janë kundër parimeve për drejtësi dhe sundimin e ligjit në vend.

“Ligji sjell me vete pasoja të fuqishme për autorët e veprave penale”,- thekson Ministria e Drejtësisë.

Desk
By Desk 4 Prill, 2019 19:10