Stevo Pendarovski është kryetari i ri i Republikës. Zaev: E zgjodhën të gjithë, do të jetë për të gjithë. Janushev: VMRO mbetet partia më e fuqishme

Desk
By Desk May 6, 2019 19:15

Stevo Pendarovski është kryetari i ri i Republikës. Zaev: E zgjodhën të gjithë, do të jetë për të gjithë. Janushev: VMRO mbetet partia më e fuqishme

Stevo Pendarovski është president i ri, i zgjedhur, i Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale fitoi 436.212 vota, ose 51.66 për qind të votave të qytetarëve, të cilët kanë dalë në votime. Kundër-kandidatja e tij, Gordana Siljanovska-Davkova, fitoi 377.713 vota, ose 44,73 për qind.

Kryeministri, Zoran Zaev, e cilësoi fitoren e Stevo Pendarovskit si fitore e të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, prandaj, siç tha, do të jetë president për të gjithë qytetarët.

“Kjo është fitore e gjithë popullit, e gjithë bashkësive etnike. Të gjithë participojmë në të. Edhe një herë u konfirmua se kryetari dhe zgjedhja e tij varet nga gjithë etnitë në shtet. Madje dhe nëse hiqni etninë maqedonase dhe shqiptare do të shihni se edhe pa bashkësitë më të vogla nuk ndodh zgjedhja e presidentit. Kjo është e bukura e shoqërisë sonë multikulturore dhe multietnike. Dhe në fund të fundit e bukura qëndron në atë që krijuam një vlerë të re”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Pushteti nuk ka hapësirë për gëzim, vlerëson partia opozitare VMRO-DPMNE, mbështetur në rezultatet zgjedhore. Sipas sekretarit gjeneral të partisë, Igor Janushev, në rrethin e dytë VMRO ka shënuar rritje të elektoratit të saj për 60 mijë vota dhe mbetet partia më e madhe.

“Dëshmuam se VMRO-DPMNE është faktor te populli dhe është partia më e fuqishme në Maqedoni. Ju jeni heronjtë e këtij fakti dhe njerëzit që sollën rezultate të shkëlqyeshme në kohë të vështira të presioneve, kërcënimeve dhe etiketimeve. Do të vazhdojmë atje ku mbetëm dje. Kemi hapësirë për shumë punë për motivimin e njerëzve dhe rritje shtesë. Qeveria po digjet. Vazhdojmë edhe më fuqishëm për të arsyetuar besimin e atyre që na e dhanë dhe të fitojmë besimin e atyre që hamenden”,- tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.

Me fitoren e postit të presidentit, që pasoi fitoren në zgjedhjet lokale, koalicioni qeverisës ka pushtetin absolut, konsideron VMRO-DPMNE, prandaj edhe përgjegjësia për dështimet bie ekskluzivisht mbi pushtetin, theksoi Janushev.

Seanca e Kuvendit në të cilën do të inaugurohet presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të mbahet të dielën, më 12 maj.

Pendarovski do të jetë presidenti i pestë i Republikës. Këtë funksion para tij e ka kryer Kiro Gligorov, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov, nga i cili Pendarovski do ta marrë detyrën.

Desk
By Desk May 6, 2019 19:15