Studeniçani do të bëhet edhe me një xhami

Desk
By Desk March 2, 2020 20:19

Studeniçani do të bëhet edhe me një xhami

Myftinia e Shkupit vazhdon me sukseset e saj në terren: më 2 mars, 2020, ka vënë gurin e themelit të xhamisë së re në fshatin Studeniçan. Kanë qenë të pranishëm: Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, i Tetovës prof. dr. Qani ef. Nesimi, i Gostivarit h. Shaqir ef. Fetahu, i Strugës h. Salim ef. Sulejmani, i Ohrit h. Samet ef. Hajdari, koordinatori i Myftinisë së Velesit h. Nijaz ef. Nurati, dekani i FSHI prof. dr. Shaban Sulejmani, drejtori i Medresesë Isa Beu Ibrahim Idrizi, kryetari i OH “Hilal” Mustafa ef. Dauti, Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së Irsal ef. Jakupi, hoxhallarë të rajonit dhe të ftuar të tjerë.

Manifestimi ka filluar me një ashere nga hfz. Xhemail ef. Nuhiu, ndërsa fjalën e rastit, në emër të Këshillit iniciues, e ka paraqitur Alaudin Zeqiri. Fjalë përshëndetëse ka pasur myftiu i Myftinisë së Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili.

Kryetari i BFI të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, në fjalimin e tij të rastit ka thënë se populli i Studeniçanit historikisht e ka dashur fenë, e ka dashur Islamin, ka jetuar me Islamin dhe mbetet të jetojë me Islamin, siç ka theksuar, “deri në Ditën e Kiametit”.

Xhamia e re që po nisim, ka thënë Kreu i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut më tej, ka qenë nevojë imediate e shtrirjes gjeografike që ka Studeniçani. Tempullit të shenjtë, Shtëpisë së Allahut fuqiplotë, ne i gëzohemi si një pune të bereqetshme, si një pune të madhe. Xhamia e ka luajtur rolin e vet dhe vendimtar në historinë e Islamit. Xhamia ka qenë gjithçka, në një kohë kur nuk ka pasur organizim shtetëror-administrativ, kështu që të gjitha format e organizimit të popullit mysliman kanë qenë përmes xhamisë. Ajo ka qenë Bashkësi Lokale, ka qenë Kuvend Qendror i një mjedisi ku kanë jetuar myslimanët, Kuvend i nivelit të Shtetit Islam. Xhamia ka qenë edhe Ministri e Mbrojtjes në kohën e Pejgamberit tonë, Muhamedit (s.a.v.s.).

Kryetari h. Sulejman ef. Rexhepi më tej ka thënë: Xhamia e ka luajtur rolin e vet në përhapjen e dritës së Allahut fuqiplotë. Ne jemi ithtarë të kësaj feje madhështore dhe duhet të mburremi pse i takojmë Islamit, sepse Islami është një fe që predikon paqe, harmoni, dashuri, solidaritet dhe Islami i kundërvihet çdo sendi të keq, çdo sendi që do të thotë e keqe. Islami është kundër asaj që disa tentojnë ta identifikojnë me të këqijat. Të gjitha ato janë spekulime, insinuata dhe të tillët janë armiq të dritës së Zotit, e cila ka ditur t’i nënshtrojë dhe do t’i nënshtrojë sa të jetë jeta në këtë dhe! RMV është mëmëdheu ynë dhe ne duhet të jemi tok, të jemi bashkë, ta mbrojmë nga tendencat e armiqve të këtij nënqielli. Atakimi i këtij territori është edhe atakim i populli tonë. Ne nuk jemi në këtë vend të huaj, nuk jemi ardhacakë; jemi vendës, denbabaden; jemi autoktonë. Zoti e shtoftë këtë popull sa është e mundur dhe të ketë gjithmonë bekimin e Allahut fuqiplotë!

Më pas ashere ka kënduar hfz. Irfan ef. Sulejmani, ndërsa duanë e fillimit të punës në xhaminë e re të Studeniçanit, Shkup, e ka bërë myftiu i Myftinisë së Gostivarit, h. Shaqir ef. Fetahu.

Desk
By Desk March 2, 2020 20:19