Tablo e përzier në Ballkanin perëndimor, “Freedom House”: Maqedonia e Veriut përmirësohet me 4 vende

Desk
By Desk March 4, 2020 19:08

Tablo e përzier në Ballkanin perëndimor, “Freedom House”: Maqedonia e Veriut përmirësohet me 4 vende

Maqedonia e Veriut ka pësuar një lëvizje lart prej 4 vendesh në raportin e fundit të përvitshëm të “Freedom House” për lirinë që analizon zhvillimet në vendet e botës. Vendi ynë sivjet u radhit në vendin e 97, duke shënuar progresin më të larët në Europë, i katërti i tillë në botë. Me gjithë këtë rritje, vendi ende mban epitetin si shtet “pjesërisht i lirë”.

Në raport, Maqedonia e Veriut ka shënuar një rritje prej katër pikësh nga 59 sa kishte një vit më parë në 63, falë zgjedhjeve presidenciale, përmirësimit të gjendjes së medias dhe përmirësimit të situatës së sigurisë.

Edhe Kosova ka përparim megjithatë është pas nesh në vendin e 113. Shqipëria ka humbur një pikë, duke kaluar në një vlerësim nga 68 në 67, gjithsesi sërish gjendet para vendit tonë. Kjo ulje në Shqipëri i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend.

Edhe Serbia dhe Mali i Zi kanë shënuar rënie, ndërsa Bosnja mbetet në të njëjtën pozitë. Më mirë në rajon është Sllovenia në vendin e 18, Greqia në vendin e 50, Kroacia në vendin e 56 dhe Bullgaria në vendin e 69 dhe llogariten si shtete të lira.

“Freedom House”: Demokracia, 14 vjet në rënie

Nga “Freedom Hause” sqarojnë se viti 2019 ka qenë viti i 14 me radhë për sa i përket rënies së lirisë globale dhe përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile, pra sipas raportit jemi botë pa udhëheqje demokratike.

Rangim më të lartë edhe këtë vit kanë Finlanda, Norvegjia dhe Suedia. Në fund të listës është Siria me 0 pikë, ndërsa në pesë vendet e fundit janë të radhitur Turkmenistani, Tibeti, Eritrea dhe Sudani jugor.

Desk
By Desk March 4, 2020 19:08