Tahiri: Edhe 60 kosovarë janë në Siri
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se më shumë se 135 persona janë kthyer nga lufta e Sirisë, sipas tij edhe 60 kosovarë janë akoma gjallë në zonat e luftës së ISIS.
Tahiri ka thënë se numri i qytetarëve kosovarë të kthyer në Kosovë para aksionit të 19 prillit ka qenë më i madh se sa në aksionin e marrë nga shteti i Kosovës.
“Numri i të kthyerve para 19 prillit është diku 135. Ata janë kthyer pa ndonjë organizim, por dikush mund të jetë ndihmuar nga shteti i Kosovës. Llogaritet se rreth 60 kosovarë që ne mendojmë se janë gjallë, janë ende në zonat e luftës. Një pjesë e tyre janë kapur nga regjimi i Asadit, ndërsa ka edhe gra që kanë mbetur ende atje”.
Ai ka thënë se nga operacioni i shtetit të Kosovës në Siri ka qenë një problem shumë i madh kthimi i nëntë jetimëve, që u janë vrarë te dy prindërit në Siri.
“Këto tri javët e fundit personalisht kam pasur trauma. Ka qenë një situatë ku kemi pasur përgjegjësi të madhe. Vështirësia e madhe ka qenë kthimi i nëntë jetimëve pa asnjërin prind. Na u paraqit një vështirësi e madhe pasi nuk kishin as dokumente identifikimi. Nuk donim të merrnim në avion fëmijë që nuk ishin të Kosovës”, tha ndër të tjera Abelard Tahiri për RTV Dukagjini.