Takim Xhaferi-Petersen: OSBE-ODIHR në mënyrë të paanshme do ta vëzhgojë referendumin

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 3 Shtator, 2018 19:06

Takim Xhaferi-Petersen: OSBE-ODIHR në mënyrë të paanshme do ta vëzhgojë referendumin

Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-së në tërësi do ta ruajë paanshmërinë e vet gjatë vëzhgimit të referendumit. Do të angazhohet ekip prej 13 ekspertëve, 20 mbikëqyrësve afatgjatë dhe afër 250 mbikëqyrësve afatshkurtër, që do ta ndjek referendumin dhe do të vlerësojë nëse ky zhvillohet në atmosferë demokratike dhe në pajtim të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe obligimet dhe standardet tjera ndërkombëtare, si dhe me legjislacionin nacional.

Këtë shefi i Misionit të Mbikëqyrjes së OSBE/ODIHR-së për referendumin, ambasadori Jan Peteresen ia kumtoi sot kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Siç kumtoi Seksioni për informim publik dhe marrëdhënie me publikun, Xhaferi u shpreh i kënaqur që OSBE/ODIHR-ja vendosi të dërgojë Mision për Mbikëqyrjen e referendumit më 30 shtator 2018 dhe vlerësoi se ndjekja e zbatimit të referendumit nga ana e kësaj organizate është me rëndësi të madhe për nxitjen e besimit në procesin e referendumit.

Ai theksoi se në Republikën e Maqedonisë lartë vlerësohet roli i OSBE/ODIHR-së, ndërsa një pjesë e madhe e rekomandimeve nga raportet paraprake janë përfshirë në Kodin zgjedhor. Informoi për rolin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, si propozues i autorizuar i referendumit dhe bartës i propagandës publike, si dhe për aktivitetet e ardhshme të Kuvendit në vigjilje të referendumit.

Ndërkaq, ambasadori Petersen dha një vështrim për aktivitetet e Misionit të OSBE/ODIHR-së dhe theksoi se roli i tij është ta mbikëqyrë gjithë procesin e zbatimit të referendumit, duke filluar nga propaganda publike, financimi i tij dhe mbulimi mediatik.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 3 Shtator, 2018 19:06