Takimi i Kryetarit Xhaferi me Kryetaren e Senatit Italian Kazellati
Në kuadër të vizitës së punës në Itali, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me Maria Elizabeta Alberti Kazellatin, Kryetaren e Senatit të Republikës Italiane.
Të dy bashkëbiseduesit i theksuan të gjitha përparësitë e diplomacisë parlamentare – në planin bilateral dhe multilateral, që do të kontribuojnë për qasjen e përbashkët të shteteve ndaj të gjitha sfidave të imponuara nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, sepse pasojat reflektohen te të gjitha vendet njëlloj dhe këtu jo vetëm që nevojitet uniteti i vendeve të kontinentit evropian, por edhe i forcave të mëdha botërore.
Në kontekst të diasporës sonë në Itali, e cila numëron pothuajse 100,000 qytetarë, Xhaferi shprehu mirënjohje për raportin që shteti Italian e ka ndaj saj dhe sugjeroi për nevojën e përfundimit më të shpejtë të procedurave në të dy dhomat e Parlamentit Italian në kontekst të Marrëveshjes së nënshkruar për bashkëpunim prej vitit 2015.
Xhaferi, në kontekst të shënimit të ardhshëm të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, i drejtoi ftesë Kryetares Kazellati për të vizituar Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe shprehu pritjen se do të realizohen vizita në nivel të kryetarëve dhe kryeministrave nga pala italiane, thuhet në njoftimin e Kuvendit.